Aktualitet

Ministrja Kushi: “Po vlerësojmë nivelin e vështirësisë në testin e Matematikës!”

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi reagoi lidhur me protestat e maturantëve për testin e Matematikës. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Të dashur maturantë, siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, me grupet e ekspertëve jemi duke vlerësuar edhe një herë nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit!

Për tezën e Matematikës pati protesta nga maturantë në Tiranë, Durrës, Shkodër e Gjirokastër. Të rinjtë u ankuan se u përfshinë njohuritë e marra online ndonëse iu tha se nuk do të ishin pjesë e provimit.

Ka pasur gjithmonë manovrime në vështirësinë e provimit. Nuk kemi qenë të përgatitur. Edhe provimi i anglishtes që i ka paraprirë këtij provimi ishte i një niveli skandaloz. Varionte drejt C1, C2. Nuk besoj që ka pasur një nxënës që nuk ka ndjerë vështirësi. Ushtrimet janë marrë fotokopje nga tekstet e Cambridge-it, u kopjuan në mënyrë skandaloze dhe as përmbajtja e tyre nuk përkon me tekstet tona. Çfarë duhet të bëjmë ne, a është e drejtë të penalizohemi për gjëra që nuk i kemi mësuar? Le të çohen të gjithë maturantët në Shqipëri! Nuk durohet më kjo gjendje!

Ndërsa shprehën shqetësimin lidhur me vështirësitë, maturantët protestues kërkuan uljen e pragut të pikëve dhe rivlerësim. Me herët sot reagoi edhe Qendra e Shërbimeve Arsimore që deklaroi se “teza e provimit nuk kishte asgjë jashtë programit mësimor, ishte e nivelit mesatar” dhe se “nxënësit e mirë nuk patën asnjë vështirësi”.