Aktualitet

Ministrja Xhaçka falenderon BE-në për ndihmën ndaj Shqipërisë në “luftën” ndaj zjarreve/ Holanda konfirmon 2 helikopterët!

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka falenderuar Çekinë dhe Holandën për dy helikopterët e vënë në dispozicion për të luftuar zjarret në Shqipëri.

Xhaçka thotë se miqtë europianë po i gjenden pranë vendit tonë në orët e nevojës.

Ajo shton se vetëm të bashkuar mund të fitohet kjo betejë.

STATUSI NGA OLTA XHAÇKA

Falenderojmë miqtë tanë evropianë që na ndihmuan në orën tonë të nevojës. Ne i jemi mirënjohës ekuipazheve çekë dhe holandezë që do të na ndihmojnë të luftojmë zjarret e pyjeve që janë ndezur në vendin tonë. Vetëm të bashkuar mund të fitojmë.

Holanda e konfirmon: 2 helikopterë dhe 47 ushtarakë vijnë në ndihmë të Shqipërisë për zjarret

Ashtu siç u njoftua edhe nga Bashkimi Europian, Holanda ka konfirmuar sot ardhjen e 2 helikopterëve nga ky vend në ndihmë të Shqipërisë për shuarjen e zjarreve. Helikopterët mbërrijnë të premten ndërsa operacionet fillojnë të shtunën.

Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar BE -së dhe vendeve anëtare që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve, që po përhapen aktualisht në jug të Shqipërisë. Si përgjigje, Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë Chinook. Chinook-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira. Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet shqiptare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike. Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë, thuhet në mesazhin e ambasadës.