Sport

Miqësorja me Armeninë, sërish ndryshime në listë për Kombëtaren!

Nga dje, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit rinisi përgatitjet për miqësoren e fundit të këtij muaji, atë ndaj Armenisë që luhet nesër në orën 17:30 në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit. Përballja pason miqësoren e luksit me Italinë, po në “Air Albania” e ku Shqipëria u mund nga axurrët me rezultatin 1-3. Por, ra në sy fakti se axurrët u përballën me dinjitet.  Departamenti i Komunikimit në Federatën e Futbollit, FSHF bën të ditur se për miqësoren me Armeninë, sërish do të ketë ndryshime në listën e Kombëtares.

Sulmuesi Armando Broja, i cili doli nga loja i dëmtuar në ndeshjen me Italinë pas një problemi në kavilje iu nënshtrua testeve mjekësore e pas konsultimeve me stafin mjekësor e atë teknik, u arrit në përfundimin se ai nuk mund të jetë i gatshëm për miqësoren e së shtunës, 19 nëntor. Për këtë arsye, sulmuesi u largua nga grumbullimi për t’u rikthyer pranë klubit të tij.

Ndërkohë, për ndeshjen me Armeninë nuk do të jenë të gatshëm as mesfushori Odise Roshi e sulmuesi Myrto Uzuni, gjithashtu të larguar nga grumbullimi. Të dy lojtarët rikthehen me klubet sipas marrëveshjes paraprake mes palëve, pasi këtë fundjavë janë të impenjuar në ndeshjet e kampionateve respektive ku edhe aktivizohen.

Sa i takon pjesës tjetër të lojtarëve, aktualisht nuk ka probleme me dëmtimet, ndërsa sot në orën 15:00, skuadra zhvillon stërvitjen zyrtare në kompleksin “Tropikal” para takimit me Armeninë. Ndërkaq, konferenca zyrtare për median me trajnerin italian, Edoardo Reja e një lojtar, nis në ora 14:30, po në Durrës. Me gjasë, ndeshja me Armeninë do të jetë e fundit e teknikut Reja në drejtimin e pankinës kuqezi.