Health & Beauty

Miratohet nga FDA një medikament për trajtimin e alopecisë areata të rëndë te të rriturit!

Për trajtimin e alopecisë areata të rëndë te të rriturit, në të ardhmen do të përdoret medikamenti Leqselvi, i miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave FDA për kompaninë Sun Pharma. Tabletat Leqselvi (deuruxolitinib) prej 8 mg janë frenues selektivë oralë të Janus kinases JAK1 dhe JAK2. Ilaçi i ri u testua te pacientët që kishin të paktën 50% rënie të flokëve për më shumë se 6 muaj.

Ky ilaç synohet të përdoret dy herë në ditë. Në prova, tri efektet anësore më të zakonshme ishin dhimbja e kokës, aknet dhe nazofaringiti. Trajtimi i alopecisë së rëndë tregoi rezultate të shkëlqyera në 30% të të testuarve.

Miratimi i medikamentit të ri u bazua në të dhënat nga provat klinike të randomizuara të THRIVE-AA1 dhe THRIVE-AA2, të kontrolluara me placebo, të fazës 3, të cilat përfshinin një total prej 1.220 pacientësh me alopecia areata të cilët kishin të paktën 50% humbje të flokëve të kokës për më shumë se 6 muaj.

Gjatë 24 javëve, më shumë se 30% e pacientëve që merrnin ilaçin Leqselvi arritën 80% mbulim të kokës me qime. Sipas deklaratës së FDA-së, një të katërtës së pacientëve u ishin kthyer pothuajse të gjitha flokët e kokës pas 24 javësh. Alopecia areata është një sëmundje e zakonshme autoimune e lëkurës, që do të thotë se sistemi imunitar i trupit tonë i konsideron indet e shëndetshme si të rrezikshme dhe fillon t’i sulmojë ato. Sëmundja shkakton rënie të flokëve në lëkurën e kokës, fytyrë dhe ndonjëherë në pjesë të tjera të trupit, si sqetullat ose këmbët.

Njerëzit me alopecia areata më së shpeshti humbasin flokët në copa ose njolla rrethore në madhësinë e një monedhe në lëkurën e kokës, por në raste më të rënda mund të humbasin të gjithë flokët e tyre. Edhe pse alopecia areata mund të shfaqet në çdo moshë, shumica e individëve e zhvillojnë sëmundjen në moshë më të hershme. Më shumë se 80% e rasteve shfaqin shenja të sëmundjes para moshës 40 vjeçare dhe 40% e pacientëve përjetojnë simptoma deri në moshën 20 vjeçare. Hulumtimet tregojnë se gratë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë alopecia areata sesa burrat.