Aktualitet

Miratohet pagesa për orët shtesë të punonjësve të policisë dhe jo vetëm!

Punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë pagesat për orët shtesë në sezon dhe kompensimin ushqimor, për vitin 2024, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria. Sipas aktit të miratuar, parashikohet të mbulohet efekti financiar i orëve shtesë të punonjësve të policisë të angazhuar në shërbim gjatë sezonit turistik. Gjithashtu, me këto shtesa në Aktin Normativ, do të mbulohet edhe efekti financiar i kompensimit në lekë për ushqimin, për punonjësit e policisë për gjithë vitin buxhetor 2024.

Në prononcimin pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Financave Petrit Malaj u shpreh se “kemi rritur financimin për Ministrinë e Brendshme në vlerën rreth 1.3 miliard lekë për kompensimin ushqimor të Policisë, krahas orëve shtesë të punës që do t’i përfitojnë në kuadër të sezonit turistik”. Realizimi i këtij premtimi për punonjësit e policisë, pason atë për rritjen e pagave dhe sigurimin jetësor, si dhe ndihmon në përmirësimin e performancës së tyre. Ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2024, të pasqyruara në këtë Akt Normativ, erdhën si pasojë e rritjes së performancës së përgjithshme të ekonomisë shqiptare dhe realizimit të të ardhurave nga agjencitë tatimore, doganore, etj.