Aktualitet Politikë

Miratohet statuti i Partisë Demokratike!

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi ndryshimet në Statutin e Selisë Blu. Ato ishin të gjitha propozime të kryetarit Lulzim Basha por asnjë prej prej tyre nuk lidhet me mandatin e kreut të partisë.

Basha propozoi 11, përfshirë zgjerimin e Kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve. Më tej krijohet Këshilli Koordinues i Qarkut për Organizimet Elektorale. Në zgjerimin e Kryesisë u përfshi edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar, i cili aktualisht është Bujar Nishani, po ashtu drejtuesit e Bordit Financiar, Komisionit Zgjedhor dhe Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

Në Kryesi duhet ruajtur respektimi gjinor, jo më pak se 30% e anëtarësisë për gratë. Të gjitha këto propozime të Bashës u miratuan sot përmes Statutit të ri me 60 nene.

Gjatë fjalës në Kuvendin Kombëtar, kryedemokrati ripërsëriti se 25 prilli ishte masakër zgjedhore e sipas tij “paratë e drogës dhe të krimit u përdorën për të blerë vota”.

Janë në kujtesën e të gjithëve makinat që endeshin me paratë e drogës dhe korrupsionit. Pamë si drejtori i Policisë së Shtetit u rreshtua me krimin që blinte vota në Elbasan vetëm pak ditë para zgjedhjeve. U përdorën trafikantët e drogës për patronazhistë. Tom Doshi u kthye në makineri votblerëse. Taulant Balla doli personi më i votuar në Shqipëri si prova më e zezë e këtij regjimi. PD doli me kokën lart nga kjo masakër zgjedhore!

Basha shtoi se “betejën do ta vazhdojnë në Kuvend e jashtë tij”.