Bota

Mister fati i foshnjës afgane që iu besua ushtarëve amerikanë, historia prekëse dhe apeli i prindërve!

Po mbushen rreth tre muaj nga koha kur talebanët u rikthyen në pushtet në Afganistan dhe në memorien e të gjithëve, ende janë të forta pamjet e kaosit që pushtoi vendin. Njerëz të dëshpëruar që me çdo kusht kërkonin të largoheshin, sidomos ata që bashkëpunuan me forcat e koalicionit ndërkombëtar ushtarak të udhëhequr nga Amerika. Më 31 gusht, trupat amerikane do të largoheshin përfundimisht pas 20 viteve qëndrim, duke lënë pas shumë pasiguri.

Disa prej atyre që patën mundësinë të dilnin nga territori afgan duke i shpëtuar hakmarrjes së mundshme, ende duhet të bëjnë llogaritë me pasojat.  I tillë është rasti i një çifti afgan, që po bën jehonë në mbarë botën për misterin dhe pjesën prekëse që e mbulon. Në rrëmujën e ditëve të eksodit masiv, Mirza Ali Ahmadi e bashkëshortja Suraya, ia besuan foshnjen e tyre, vetëm dy muajsh një ushtari amerikan, ndërsa vetë prisnin mes turmës, në dyert e Aeroportit të Kabulit. Por që nga data 19 gusht, prindërit nuk kanë më njoftime për fatin e të birit.

Të dëshpëruar, vendosën që historinë t’ia tregojnë ekskluzivisht botës, përmes agjencisë së lajmeve “Reuters”, me shpresën se do të mund ta gjejnë fëmijën. Ndërkaq, Suraya 32-vjeçe dhe Mirza Ali 35, gjithashtu janë prindër të katër fëmijëve të tjerë të moshave nga 3 në 17-vjeç. Ata u evakuan në një fluturim që fillimisht i dërgoi në Katar, më pas në Gjermani dhe në fund në Amerikë. Në pritje të sistemimit përfundimtar, aktualisht, familja po strehohet në Fort Bliss të Teksasit me refugjatë të tjerë.

Nëna Suraya i jep zë shpresës së saj:

Për momentin, rëndësi ka që të gjej fëmijën tim, me shpresën se dikush do të më ndihmojë!