Aktualitet

Mister fati i një 28-vjeçari nga Erseka/Gjendet makina e braktisur!

Kanë kaluar 19 ditë nga zhdukja misterioze e një 28-vjeçari nga Erseka. Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë ka ndodhur me Sherif Mukajn, për të cilin familjarët dhe policia vazhdojnë kërkimet, me shpresën për të arritur në ndonjë gjurmë. Por, nga dita e parë e muajit, 1 nëntor, nuk ka të dhëna. Ngjarja ndodhi në fshatin Starje të Kolonjës. Para se të zhdukej, Mukaj, i datëlindjes 30.04.1993, ka lënë makinën dhe sendet e tij personale (kartën e identitetit e një telefon).

Familjarët, të cilët jetojnë prej vitesh në Amerikë, thanë se djali nuk ka folur me asnjë njeri para se të zhdukej, ndërsa të shqetësuar kanë udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë, për të kërkuar djalin e tyre.

Ata treguan se rastin e kanë denoncuar në polici, ndërsa deri në këto momente nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Policia tashmë ka në dorë sendet personale dhe telefonin, gjithashtu ka nisur kërkimet pas denoncimit të familjarëve. Nuk dihet nëse 28-vjeçari ka qenë në konflikt me ndonjë njeri.

Babai i tij, Qerim Mukaj i kërkon Prokurorisë, të hapë sa më parë telefonin e të birit, për të hedhur dritë mbi zhdukjen e tij.

Kontakti i fundit ka qenë më 1 nëntor. Më datë 5 e kam marrë, nuk e hapi telefonin. Unë dua të marr vesh se çfarë ka ndodhur. Kur kam folur me të, nuk më ka treguar të ketë patur ndonjë shqetësim, nuk kishte as probleme me paratë, ishte djalë i rregullt. Nuk e di se çfarë ka ndodhur, nuk po marrim vesh gjë. Punonte ku të gjente punë. Më datë 9 bëmë denoncimin pasi erdha direkt nga Amerika. Në makinë kishte lënë të gjitha dokumentet dhe telefonin. Nuk e di si ka ndodhur kjo gjë, nuk ka qenë problematik, ishte i qetë i urtë. Kemi pyetur edhe shokët e tij, na thanë kemi pirë kafe dhe ka ikur në shtëpi, kaq, as ata nuk dinë më shumë. I bëj thirrje policisë të hapë sa më shpejt telefonin, të marrim vesh se çfarë ka ndodhur!