Bota

Mister vdekja e një aktivisti bjellorus në Ukrainë!

Policia ukrainase nisi hetime për vrasje lidhur me vdekjen e aktivistit bjellorus, Vital Shyshou. Një ditë pasi rezultoi i zhdukur në Kiev, sot u gjet i varur në një nga parqet e kryeqytetit të Ukrainës, jo shumë larg banesës së tij.

Autoritetet po hetojnë duke mos përjashtuar mundësinë e vrasjes ndonëse duket sikur kanë të bëjnë me një vetëvrasje. Aktivisti doli për vrap por nuk u kthye më. Në vendin e ngjarjes iu gjetën telefoni celular e disa sende personale.

Vital Shyshou ka drejtuar një organizatë joqeveritare me qendër në Kiev, që ndihmon bjellorusët t’i shpëtojnë persekutimit të presidentit Aleksandër Lukashenko, i njohur si diktatori i fundit në Europë.

Organizata që drejtonte, “Shtëpia Bjelloruse” në Ukrainë doli me një deklaratë:

Vazhdimisht jemi paralajmëruar si nga burimet vendase ashtu edhe nga njerëzit tanë në Bjellorusi për mundësinë e të gjitha llojeve të provokimeve, përfshirë rrëmbimin e vrasjen.

Përveç Ukrainës, edhe Polonia e Lituania janë kthyer në vende strehimi për bjellorusët që kundërshtojnë Lukashenkon. Autoritetet bjelloruse synojnë t’i bëjnë kritikët të heshtin, që pas protestave të para një viti, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Protestuesit anti-qeveritarë konsiderohen “kriminelë” ose “revolucionarë të dhunshëm të mbështetur nga Perëndimi”. BE-ja e Amerika refuzojnë ta njohin Lukashenkon si kryetar shteti e ndaj tij kanë vendosur sanksione.