Aktualitet

Misteret e vdekjes së Ilvi Metës në Komisariatin e Kavajës, KSHH: “Jo rast i izoluar!”

Komiteti Shqiptar i Helsinkit jep detaje në lidhje me vetëvarjen e 31-vjeçarit Ilvi Meta në Komisariatin e Kavajës. Sipas Komitetit, “ngjarja tragjike mund të ishte parandaluar”. Vëzhguesit e KSHH-së u informuan se shtetasi Ilvi Meta është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Kavajë në orën 11:30 të datës 04.05.2022, çka u verifikua edhe në Regjistrin e Evidentimit të të Dhënave për Personat e Shoqëruar.

Në orën 15:50 u realizua ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest me burg” në ambientet e Komisariatit, për veprën penale të Vjedhjes (sipas nenit 134/1 të Kodit Penal), si dhe është njoftuar familjari i tij, babai, nga oficeri i patrullës B.B. I ndjeri Ilvi Meta ka qendruar i vetëm në dhomën e sigurisë. Kjo e dhënë është verifikuar edhe në Rregjistrin e personave të ndaluar/arrestuar të ndodhur në Komisariat.

Në librin e dorëzimit të shërbimit, punonjësi përgjegjës ka identifikuar rrezikun për tentativë vetëvrasje të këtij shtetasi. Sipas KSHH-së “polici Petrit Brahimaj ka shënuar se mund të vetëvritej”. Brahimaj la porosi në librin e shënimeve të kihej kujdes, Ilvi Meta, mund të vetëvritej. Brahimaj la turnin në orën 19:00 dhe la shënim, mjeku konstatoi vdekjen në orën 18:00. Ka një mosrakordim shumë të madh të orareve. Po sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, njëri nga policët e arrestuar deklaron se “Ilvi Meta s’ka pasur lidhëse”. Sipas njërit prej policëve, bluza që Ilvi Meta mbante veshur “nuk kishte kapuç”.

KSHH shpreh shqetësimin se rasti në fjalë, nuk është i izoluar.

Institucionet eprore, si dhe ato ku mbahen shtetasit e ndaluar apo të arrestuar, si dhe persona që ndodhen në ambientet e paraburgimit apo në burgje, duhet të kujdesen në mënyrë të veçantë për masat e sigurisë dhe respektimin e tyre, me qëllim garantimin e shëndetit dhe jetës së këtyre shtetasve. Eshtë përgjegjësi e tyre dhe personave të ngarkuar me këtë detyrë, të zbatojnë në mënyrë korrekte dhe me vigjilencën e duhur, ligjet dhe aktet nënligjore ku përcaktohen masat parandaluese të sigurisë që duhet të merren, nënshtrimin e këtyre personave ndaj kontrollit mjekësor, si dhe realizimin e kontrolleve periodike, për zbatimin e duhur të kuadrit ligjor.