Bota Botë e Çuditshme

‘Misteret’ që fshihen në det, zbulohet në Izrael anija e fundosur rreth 1200 vjet më parë!

Së fundmi një anije e fundosur rreth 1200 vjet më parë, ka dalë në sipërfaqe pranë brigjeve të Izraelit. Anija ka qenë e ngarkuar me mallra nga i gjithë Mesdheu në periudhën kur Perandoria Bizantine po humbiste kontrollin e saj në atë zonë dhe sundimi islamik po zgjeronte shtrirjet. Sipas studiuesve, kjo tregon se tregtia vazhdoi me pjesën tjetër të Mesdheut, pavarësisht ndarjes fetare.

Deborah Cvikel, arkeologe në Universitetin e Haifës thotë se:

Në libra thuhet se tregtia pothuajse u ndal në Mesdhe. Kishte kryesisht anije të vogla që lundronin përgjatë brigjeve. Por këtu kemi anije të madhe të mbytur, e cila ka qenë e ngarkuar me mallra nga Mesdheu.

Artefaktet në kuvertë tregojnë se anija, e cila daton në shekullin e 7-të ose të 8-të pas Krishtit, ishte ankoruar në Qipro, Egjipt, ndoshta Turqi dhe ndoshta deri në bregun e Afrikës së Veriut.

Rikujtojmë, se së fundmi ushtria Kolumbiane ka shpërndarë foto të papublikuara më parë të një anijeje të tipit galion “San Jose”, një nga anijet më të mëdha të armatës spanjolle, e cila është mbytur tre shekuj më parë, së bashku me thesare të çmuara të cilat ndodheshin në bordin e saj. Marina ka mundur të arrijë anijen e cila ishte fundosur në thellësinë 950 metra dhe të vëzhgonte nga afër atë çfarë kishte mbetur prej saj.

Rikujtojmë gjithashtu se një anije romake e fundosur 2 mijë vjet më parë, është gjetur në fund të detit në rajonin jugor të Puglia-s. Zbuluesi ka qenë Fabio Matacchiera, profesor historie dhe i apasionuar pas arkeologjisë, i cili nëpërmjet një GPS të veçantë hartografik, ka bërë zbulimin e jashtëzakonshëm. Fillimisht, ai ka gjetur disa qindra pllaka prej guri dhe objekte të fshehura nën rërë dhe midis shkëmbinjve, në brigjet e Tarantos.