Sociale

Mjegulla “pushton” Beratin, vështirësi me qarkullimin në rrugë

Që prej orëve të para të mëngjesit, qyteti i Beratit është mbuluar nga mjegulla e dendur. Mjegulla është shfaqur prej disa orësh dhe vazhdon të jetë prezentë në të gjithë qytetin.

Kjo situatë ka krijuar vështirësi për lëvizjen e automjeteve brenda në qytet. Situata është e njëjtë në të gjithë qarkun, pasi mjegulla ka mbuluar edhe qytetet Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.

I gjithë aksi nacional Berat-Dimal dhe Dimal-Kuçovë është pushtuar nga mjegulla, duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve të transportit interurban, pasi shikimi është i kufizuar.

Mjetet janë duke qarkulluar me shpejtësi të ulët dhe duke mbajtur largësi nga njëra-tjetra, për të shmangur ndonjë aksident të mundshëm.

Sa i përket parashimit të motit për sot, vijon ndikimi i masave të lagështa në vend duke bërë që vranësirat e dendura të jenë të pranishme në të gjithë territorin nuk do të mungojnë gjithashtu intervalet e shkurtra me kthjellime, kryesisht në ultësirën perëndimore. Orët vijuese mbeten me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në të gjithë territorin e shqipërisë.

Temperaturat e ajrit do të ulen duke luhatur vlerat ditore nga -5°C deri në 14°C.

Era do të fryjë me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi verior – verilindor për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të gjenerohen dallgë 4 ballë.