Bota

Mobilizimi ushtarak për Ukrainën, rusët në arrati nga Rusia!

Shumë rusë nxituan të rezervojnë bileta vajtjeje e jo kthimi, për t’u larguar nga Rusia, tani që Putin shpalli mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për luftën në Ukrainë. Do të mobilizohen 300 mijë rezervistë me përvojë ushtarake. Çmimet e biletave u rritën menjëherë, pas shqetësimeve se kufijtë e Rusisë mund të mbyllen shpejt. Nuk përjashtohet mundësia që Putin të shpallë mobilizim të plotë.

“Air Serbia”, e vetmja kompani europiane përveç “Turkish Airlines” që kryen fluturime në Rusi, pavarësisht embargos së BE-së, shiti të gjitha biletat në linjën Moskë-Beograd. Ndërkohë, ato për fluturimet nga Moska në Stamboll e Dubai u shitën deri në 9 mijë e 200 euro. Po ashtu u ezauruan edhe biletat për udhëtimet drejt Gjeorgjisë e Armenisë. Rusët mund të hyjnë pa viza në Serbi, vend që nuk iu bashkua sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Britania e Madhe dyshon në aftësinë e Rusisë për të zbatuar mobilizimin e pjesshëm të 300 mijë rezervistëve në luftën kundër Ukrainës. “Moska ka të ngjarë të luftojë me sfidat logjistike dhe administrative të grumbullimit të rezervistëve”, – deklaroi Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e saj nga shërbimet sekrete për luftën.

Nuk përjashtohet mundësia që Putin të përpiqet të dislokojë formacione të reja me këto trupa shtesë në Ukrainë, të cilat nuk kanë gjasa të jenë efektive në luftime për muaj të tërë. Mobilizimin e pjesshëm, Londra e sheh si shenjë të dobësisë ruse dhe thekson se “lëvizja është në fakt një pranim se Rusia ka shteruar furnizimin e saj me vullnetarë të gatshëm për të luftuar në Ukrainë”.

“Rusia duhet të përballet vetëm me ndëshkim për shkak të pushtimit të Ukrainës”. Kjo u deklarua nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin video para Asamblesë së OKB-së në Nju Jork. Ndërsa bëri thirrje për krijim të një gjykate speciale për luftën, përmendi krimet e Moskës. Gjithashtu, prezantoi një “formulë” për paqen, që përfshin më shumë mbështetje ushtarake e ndëshkim të Rusisë në skenën ndërkombëtare.

Zelensky akuzoi Rusinë se shkaktoi “turbulenca katastrofike përmes luftës së paligjshme”. Ai foli në të njëjtën ditë kur presidenti Putin, mobilizoi rreth 300 mijë rezervistë ushtarakë në detyrë, vendim që ka nxitur protesta të rralla në rrugët e Rusisë. Për Zelensky-n, “ky vendim tregoi se Putin nuk është serioz rreth bisedimeve për paqe”. Po ashtu, dënoi planet ruse që në disa qytete ukrainase të pushtuara nga Rusia, të mbahen referendume.