Bota Tech

Modeli i ri i verifikimit në Twitter, shton llogaritë e rreme!

Tashmë, përdoruesit e Twitter-it mund t’i verifikojnë llogaritë e tyre nëse abonohen dhe paguajnë tetë dollarë në muaj. Po ashtu, lejohen të krijojnë llogari të rreme, edhe me emra të personazheve publikë e me rregullat e reja, këto llogari do të verifikohen me sistemin e ri të prezantuar nga Twitter. Më parë, personazheve të famshëm, politikanëve, gazetarëve e të tjera figurave publike u kërkohej të siguronin prova të identifikimit përpara se të merrnin “shenjën blu” që tregon verifikimin e llogarisë.

Në fund të tetorit, njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë e një javë më vonë, më 5 nëntor urdhëroi pushime masive nga puna, me justifikimin se për shkak të humbjeve, deri në 4 milion dollarë në ditë, nuk kishte zgjidhje tjetër. Filloi me polemika jo të vogla epoka e Elon Musk-ut në universin Twitter. Ky vendim për të pushuar gjysmën e punonjësve, së bashku me drejtuesit ishte një nga zgjedhjet e shumta që përfundoi në shënjestrën e më kritikëve, si ajo e rritjes në 8 dollarë në muaj të çmimit të Twitter blue, që ka të bëjë me një sërë shërbimesh premium të platformës.

Pas një kapitulli të vështirë që nisi në prill dhe u finalizua muajin e kaluar, me njeriun më të pasur në botë, i cili njëherë ndërroi mendje për blerjen, me pretendimin se llogaritë e rreme ishin më shumë nga sa deklaroheshin, më në fund Musk u bind dhe derdhi 44 miliardë dollarë. Finalizimi i këtij operacioni shmangu gjykatën, por hapi telashe të reja për punonjësit.

Miliarderi bëri të ditur se të gjithëve atyre që kanë humbur vendet e punës, u janë ofruar pagesa shtesë tremujore çka sipas tij është 50 për qind më shumë nga sa parashikohet me ligj”.

Pas raportimit të këtyre zhvillimeve, janë rritur shqetësimet për të ardhmen e personave përgjegjës për të menaxhuar informacionet e dëmshme. Grupet për sigurinë online sugjerojnë se Elon Musk mund të zbusë politikat, që Twitter të jetë më pak efektiv në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit. Po ashtu, mund të hiqen ndalesat e përhershme ndaj disa figurave, si ish-presidenti amerikan, Donald Trump.