Botë e Çuditshme Design

Modeli më i madh i ndërtuar ndonjëherë, LEGO risjell anijen “Titanic”!

Kompania daneze e prodhimit të lodrave, “LEGO” ka prezantuar modelin më të ri dhe më të madhin të ndërtuar ndonjëherë, një rikrijim me 9000 copë të anijes më të famshme në botë, Titanikut, të mbytur në Oqeanin Atlantik gati 110 vite më parë.

Më shumë se 134 cm i gjatë, modeli i anijes që u mbyt pas nisjes nga porti i Sauthemptonit për në Nju-Jork më 10 prill 1912, do të kushtojë 630 dollarë, një çmim i “kripur” duhet thënë. Anija origjinale u përplas me një ajsberg mesnatën e 14 prillit 1912 dhe u zhyt në thellësinë e oqeanit për më pak se 3 orë.

Sipas një raporti të Senatit Amerikan, 1517 persona humbën jetën, ndërsa 706 mbijetuan, nga të gjithë ata që ishin në bord, udhëtarë dhe ekuipazh.

Modeli është i përbërë nga 9090 copëza dhe me to rikrijohet pamja e jashtme e anijes, por edhe detaje të pjesës së brendshme, si shkallët e kabinës së klasit të parë, por edhe dhoma e motorëve. Anija LEGO është e zvogëluar në shkallën 1:200. Ajo do të dalë zyrtarisht në shitje nga 1 nëntori i këtij viti.

Ndërkaq, me siguri e keni pyetur veten se si do të ishte të lundronit në Titanikun legjendar. Një miliarder australian ishte i sigurt se shumë njerëz të mahnitur nga anija fatkeqe do të donin ta bënin këtë, duke shmangur fundosjen tragjike, natyrisht.

Kështu ai ka filluar një plan madhështor për të ndërtuar Titanikun II, një kopje të saktë të anijes origjinale. Dhe kthimi i kësaj anije madhështore po vjen së shpejti. Zbuloni në këtë link më shumë në lidhje me “ringjalljen” e Titanikut.