Aktualitet

Monumentet e kulturës, KLSH: 122 nuk ekzistojnë!

Të paktën 122 monumente nuk ekzistojnë më në vendin tonë e po kaq është numri i atyre që janë shkatërruar plotësisht. Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH për menaxhimin e monumenteve të kulturës, vë theksin te nevoja për ndërhyrje në të tjera monumente, për t’i kthyer ato në gjendje më të mirë.

Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e monumenteve të kulturës nuk e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në mënyrë efektive, me qëllimin final, mbrojtjen, miradministrimin, inventarizimin dhe vlerësimin e monumenteve në vendin tonë, me rezultatin e vetëm që 122 monumente nuk ekzistojnë, 122 monumente janë plotësisht të shkatërruara, 884 monumente në gjendje të pranueshme por kanë nevojë për restaurim, 745 objekte në gjendje të mirë dhe në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdueshme, 98 objekte të tjetërsuara, si dhe 15 objekte pa kartelë.

Duke u ndalur në këtë problematikë, audituesit nënvizojnë se kjo situatë është shkaktuar edhe nga një programim joefektiv i burimeve njerëzore dhe financiare në territor, sidomos sa i takon institucioneve të specializuara, të ngarkuara me mbrojtjen dhe administrimin e këtyre monumenteve. Të njëjtën përgjegjësi adresohet se mban edhe Ministria e Kulturës, e cila qëndron në krye të tyre.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës, si institucion politikëbërës nuk është angazhuar maksimalisht në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për trashëgiminë kulturore, duke lënë sistemin kombëtar për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore pa Inspektoriat, çka do të thotë, pa pasur në dorë mundësinë e ndëshkimit ndaj atyre që abuzojnë, shkatërrojnë apo tjetërsojnë monumentet e kulturës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se situata ka ardhur në mungesë të planeve, (dokumenteve të planifikimit) të cilat duhet të harmonizojnë politikat makro të Ministrisë së Kulturës me politikat e institucioneve të tjera në nivel qendror e vendor.

Sipas këtij institucioni, “ndërhyrjet në monumentet e kulturës, kanë qenë masive e të natyrave e varieteteve të ndryshme, si për shembull, ndërtime të paautorizuara, zbatim projektesh në mosplotësim të kërkesave ligjore, pamundësia për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, bashkëpunimi i ulët ndërinstitucional, sidomos me institucionet e vetëqeverisjes vendore, etj”.

Në këtë situatë nevojitet një ndërhyrje e vendosur dhe e koordinuar për të shpëtuar atë çka ka mbetur nga pasuria jonë kombëtare.