Aktualitet

Mori një arkë me peshk, 2 mijë euro dhe një celular për një vend pune, SPAK mbyll hetimet për ish-zv/ministren Rovena Voda!

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi këtë të enjte se ka mbyllur hetimet për ish-zv/ministren e Brendshme, Rovena Voda dhe dy të pandehurat e tjera, duke çuar dosjen në GJKKO.

Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

“Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”, thotë SPAK.

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se më herët Gjykata e Posaçme ndaj Korrupsionit, me kërkesë të SPAK, vendosi  ‘arrest shtëpie’ për ish zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila akuzohet se ka përfituar para dhe të mira materiale të padrejta nga dy gra Majlinda Hasani dhe Florida Beu, për punësimin e kësaj të fundit në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme. Majlinda Hasani,avokate nga Durrësi ka luajtur rolin e ndërmjetëses për marrjen e ryshfetit.