Aktualitet Health & Beauty

Mos harroni: nesër kthehet ora verore/Disa këshilla për t’u përshtatur!

Nesër kthehet ora verore. Në 02:00 të mëngjesit të 26 marsit 2023, akrepat shkojnë 60 minuta përpara dhe ora bëhet 03:00. Kjo do të thotë një orë gjumë më pak, por nuk humbasim 60 minuta dritë natyrale e nuk errësohet më shpejt.

Ndryshimet kërkojnë përshtatje. Më e pakëndshme është ora e ziles që bie gjashtëdhjetë minuta më herët, duke na bërë të humbasim një orë gjumë teksa ndryshojnë ritmet e zgjimit.

Mund të ndodhë që për disa ditë të ndiheni të përgjumur e të keni oreks në orare të ndryshëm. Gjithashtu mund të përjetoni vështirësi në përqendrim e rritje të nervozizmit. Në çdo rast, duhet mbajtur mend se këto nuk janë gjendje patologjike e nuk ka nevojë të merret ilaç. Për të kontrolluar të tilla shqetësime të vogla, këshilla është të shfrytëzoni sa më shumë fundjavën.

Po ashtu, ekspozohuni sa më shumë në dritën e ditës, kaloni kohë jashtë e angazhohuni në ndonjë aktivitet fizik. Kështu, ora jonë e brendshme nga e cila varet mirëqenia e organizmit do të stabilizohet më shpejt. Lëvizja ndihmon në rregullimin e humorit e gjeneron atë ndjenjë të shëndetshme të lodhjes fizike që ju ndihmon të bini në gjumë në mbrëmje.

Debatit gjithnjë e më aktiv në nivel europian mbi efektet e ndyshimit i është shtuar edhe tema e kursimit të energjisë elektrike, përballë krizës që ka çuar në rritje të çmimeve, sidomos pas luftës ruse në Ukrainë.

Në vitin 2018, me 84% të votave, Parlamenti Europian u shpreh në favor të shfuqizimit të orës ligjore. Por, vendimi përfundimtar u la në dorë të secilit vend anëtar të Bashkimit Europian e deri tani, asnjë prej tyre nuk është shprehur në mënyrë përfundimtare.

Në Europë, ndryshimi i orës nuk ka qenë i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit e të konsumonin më pak energji elektrike.

Si ligj europian u vendos nga viti 1981 e është rinovuar çdo katër vjet. Në mënyrë të qëndrueshme, norma europiane përcakton datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur akrepat shkojnë 60 minuta përpara) dhe përfundimin e saj (kur shkon një orë pas). Respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.