Bota

Mos udhëtoni drejt Rusisë! Ambasada e SHBA-ve në Moskë thirrje amerikanëve!

Ambasada amerikane në Moskë u bëri thirrje shtetasve amerikane të mos udhëtojnë për në Rusi, apo atyre që ndodhen aktualisht atje, të largohen menjëherë. Njoftimi duket se përqendrohet kryesisht tek qytetarët me shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane.

Ambasada paralajmëron se Moska mund të mos e njohë shtetësinë amerikane për ata që kanë dy-shtetësi, dhe t’i rekrutojë ata për shërbim ushtarak. Rusia ka nisur prej 21 shtatorit një mobilizim të pjesshëm në mbështetje të luftës në Ukrainë.

Ambasada kujton se aktualisht mundësitë për fluturimeve komerciale janë jashtëzakonisht të kufizuara dhe shpesh nuk janë të disponueshme brenda një kohe të shkurtër.

Po kështu në njoftim u kërkohet shtetasve amerikanë të mos marrin pjesë në protesta politike, apo sociale duke kujtuar se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shprehjes në Rusi nuk janë të garantuara. Në njoftim bëhet e ditur se autoritetet ruse kanë arrestuar shtetas amerikanë që kanë marrë pjesë në demonstrata.

Po ashtu Britania dhe SHBA kanë njoftuar dje qytetarët e tyre në Rusi të largohen nga vendi me argumentimin se ata që zotërojnë qytetari të dyfishtë britaniko-ruse mund të rekrutohen për të luftuar në Ukrainë.

Ministria e brendshme britanike tha se rreth 4,000 britanikë gjenden në Rusi, një pjesë e tyre me qytetari të dyfishtë.

Putin ka njoftuar ‘mobilizim të pjesshëm’ teksa kërkon të shtojë rreth 300 000 ushtarë për frontin në Ukrainë, shkruan britanikja TheSun.

Prandaj autoritetet këshillonin britanikët të largoheshin nga vendi në rast se prezenca e tyre atje “nuk ishte esenciale”.

“Britanikët që kanë pasaportë ruse duhet të dinë se mund të përfshihen nga mobilizimi. Pikat kufitare dhe aeroportet kanë qenë mjaft të zëna që prej 21 shtatorit kështu që planifikoni kohë shtesë për udhëtimin tuaj”.

Ambasada amerikane gjithashtu nxiste qytetarët e saj dhe turistët të largoheshin “menjëherë sa ende ka opsione të mbetura udhëtimi”.

“Operacioni special” i Putin në Ukrainë duket se nuk po shkon sipas planit pas humbjeve të fundit të Moskës në fushëbetejë, por rusët kërkojnë të shmangen nga rekrutimi duke u larguar nga vendi prej frikës së fushata mund të bëhet e detyruar.

Mes raportimeve të fundit, burrat thuhet se po martohen me nxitim ose po regjistrohen si kujdestarë të të moshuarve për t’i shpëtuar luftës, ndërsa në rastet me ekstreme është folur për vetë-plagosje ose gjymtime për të mos u rekrutuar.

Disa sulme janë regjistruar në pikat e rekrutimit dhe një burrë i vuri zjarrin vetes në stacionin hekurudhor të Ryazan, për të shmangur dërgimin në front.

Gratë ruse kanë qenë në krye të protestave kundër mobilizimit në rajonin Dagestan, duke dalë në rrugë me brohoritjet: “Mos merrni burrat tanë!”

Rrjeti vendas OVD-Info shfaqte banorë të zonës Endirey që bllokonin rrugën kryesore për të ndaluar ardhjen e zyrtarëve të rekrutimit.