Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Celebrities Music Showbiz

Mos vallë Jessie J po i dedikon një këngë ish-partnerit të saj Channing Tatum?!

Jessie J duket se është gati të ndajë disa nga detajet e jetës së saj artistike por jo vetëm. Ndoshta edhe për lidhjen e saj të mëparshme me Channing Tatum. Këngëtarja e njohur dhe kompozitorja 33-vjeçare ndau në rrjetin televiziv “Capital FM” në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën se albumi i saj më i ri, i cili ende nuk ka një emër, do të niste me një këngë ndarjeje shumë personale. Edhe pse Jessie J nuk e përmend me emër, kënga mund të frymëzohet nga ish-partneri i saj më i fundit Channing, me të cilin filloi të takohej në vitin 2018. Ajo u shpreh se:

Kënga e parë ka të bëjë me të qenit në një lidhje dhe dikush thjesht e ka refuzuar atë. E dini, kur kaloni një ndarje dhe dikush thotë “Ok, lamtumirë”. Një nga këngët e mia të preferuara ka të bëjë me këtë gjë.

Jessie u lidh për herë të parë me Channing në tetor të vitit 2018 kur ata u panë së bashku në Seattle të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një muaj më vonë, ylli i filmit “Logan Lucky” u pa në një nga koncertet e saj me vajzën e tij Everly, e cila ka ardhur në jetë nga martesa e tij me ish-gruan Jenna Dewan. Çifti thuhet se u ndanë në muajin nëntor të vitit 2019 dhe u ribashkuan në janar të 2020-ës. Megjithatë, marrëdhënia e tyre ishte e shkurtër dhe ata u ndanë përfundimisht në muajin prill.

Pas kësaj historie, këngëtarja nisi një lidhje të re me balerinin Max Pham Nguyen. Channing kohët e fundit është parë disa herë me aktoren e njohur Zoë Kravitz, megjithëse të dy nuk kanë konfirmuar publikisht se mund të ketë një lidhje mes tyre. Edhe pse Jessie J u shpreh për revistën “Billboard” në korrik se kishte përfunduar albumin e saj të ardhshëm, ajo duket se ka udhëtuar për në New York për të regjistruar disa këngë të reja për albumin e saj. Ajo gjithashtu foli për presionin që ndjen për të përsëritur suksesin e debutimit të saj në vitin 2011 me “Who You Are”, i cili arriti vendin e 11-të në listën e Billboard. Jessie tha se:

Ndihem sikur gjithçka që përpiqesh të bësh është të kapërcesh momentin tënd më të mirë. Unë jam ende duke u përpjekur të kapërcej për më lart albumin tim të parë dhe po përpiqem të luaj me vitet dhe kohën.

Ajo pranoi se po përpiqej të ndryshonte në lidhje me muzikën dhe të kishte një zhvillim sa më të shpejtë.

E gjithë industria është kaq e ndryshme tani. Ndihem sikur çdo artist ka atë moment ose atë këngë për të cilën mbahet mend dhe ndihem sikur jam ende duke u përpjekur të superoj albumin tim të parë.

Rikujtojmë se, vitin e kaluar këngëtarja e popit Jessie J ndau me fansat e saj se ajo ishte diagnostikuar me sëmundjen Ménière, një sëmundje kronike e veshit të brendshëm. Kjo sëmundje sjell marrje mendsh, ulje të dëgjimit, zhurmë dhe ndjesinë e presionit në vesh tek personat të cilët vuajnë nga kjo.

Këngëtarja është shprehur se ndihej sikur dikush kishte ndezur tharësen e flokëve në veshin e saj dhe kishte kriza të herëpasherëshme. Nëpërmjet një postimi në Instagram këngëtarja bukuroshe Jessie J shpjegoi të gjithë situatën në të cilën ajo ndodhet dhe se si po arrin t’ia dalë mbanë.