Bota

Moska detyron largimin e një anije ushtarake amerikane nga ujërat ruse

Incident detar mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se një anije e marinës amerikane u largua nga ujërat ruse në Lindjen e Largët, pas paralajmërimit se mund të goditet. Sipas Moskës, anija  “USS John S. McCain” hyri dy kilometra në ujërat territoriale ruse, dhe u kthye mbrapsht pas komunikimit me anijen sulmuese ruse Admiral Vinogradov.

Ndërkohë Flota Amerikane e Paqësorit nuk dha detaje të incidentit, por tha se anija amerikane “shfrytëzoi të drejtat dhe liritë e lundrimit”.

Incidente të tilla janë raportuar nga Rusia shpesh në vitet e fundit, pasi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian u përkeqësuan pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Moskës më 2014, dhe mbështetjen e saj për separatistët në lindje të Ukrainës.