Bota

Moska do t’i përgjigjet me baza të reja ushtarake zgjerimit të NATO-s!

Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu deklaroi sot se “Moska do të vendosë baza të reja ushtarake në perëndim të vendit, në përgjigje të zgjerimit të NATO-s”.

Deri në fund të vitit, 12 njësi e divizione ushtarake do të vendosen në Rajonin Perëndimor Ushtarak. Ushtria ruse pritet të marrë më shumë se dy mijë njësi pajisjesh ushtarake dhe armë.

Presidenti rus, Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainën pro-perëndimore më 24 shkurt, duke dërguar valë tronditëse në mbarë botën.
Fushata ushtarake e Moskës shkundi Suedinë dhe Finlandën, të cilat pas shumë dekadash paanshmërie, vendosën të aplikonin për t’u anëtarësuar në NATO, pavarësisht paralajmërimeve të Kremlinit.

Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërsa ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare deri në një vit, thanë diplomatët.
Pavarësisht se procesi i pranimit pritet të marrë kohë disa javë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po kundërshton anëtarësimin e Suedisë e Finlandës.

Nëse tejkalohen shqetësimet që ka Turqia dhe nisin bisedimet e anëtarësimit, atëherë këto dy shtete mund të bëhen anëtare brenda muajsh. Procesi zakonisht merr kohë tetë deri në 12 muaj, por NATO dëshiron që të lëvizë me shpejtësi, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për këto dy shtete nordike.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se “forcat ruse kanë shkatërruar plotësisht rajonin ukrainas të Donbasit”, teksa Moska ka intensifikuar ofensivën në lindje. Zelensky i akuzoi se “po tentojnë të vrasin sa më shumë ukrainas e të shkaktojnë sa më tepër dëme”, duke përsëritur akuzat se “Rusia po kryen genocid”.

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi sot se “ka gjasa që Rusia të përforcojë operacionet në rajonin e Donbasit”. Nga të dhënat e përditësuara për luftën në Ukrainë, inteligjenca ushtarake britanike raporton se “thuajse 1 mijë e 700 ushtarë ukrainas janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol”.

Një ditë më parë, Rusia informoi për 1 mijë e 730 ushtarë ukrainas të “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina kërkon të shkëmbejë të burgosurit, por nuk jep detaje. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq po regjistron luftëtarët ukrainas të larguar nga Azovstali si të burgosur lufte. Ata janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës, por që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende nuk është i qartë numri i ushtarëve që vazhdojnë të gjenden në fabrikë.