Bota

Moska i shpall “ekstremistë” ata që kanë lidhje me Navalny-n!

Një gjykatë në Moskë iu ndaloi veprimtarinë organizatave politike të lidhura me kritikun e burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny, duke i shpallur “ekstremiste!”.
Aktivistët do të përballen me burg nëse vazhdojnë aktivitetin dhe secilit që mbështet publikisht rrjetin politik të Navalny-t, mund t’i ndalohet gara për poste publike.

Por kryeopozitari rus zotohet të mos ndalet dhe në rrjetet sociale shkruan:

Nuk do të shkojmë askund! Do ta tejkalojmë këtë do të ndryshojmë do të përmirësohemi. Do të adaptohemi. Nuk do të heqim dorë nga qëllimet dhe idetë tona. Ky është shteti ynë dhe nuk kemi tjetër!

Por iu kërkoi mbështetësve të ndryshojnë mënyrën e punës.

Navalny është në burg për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, për një rast përvetësimi, akuzë që e konsideron të motivuar politikisht. Zgjedhjet parlamentare ruse pritet të zhvillohen në muajin shtator ndërsa sondazhet tregojnë se partia në pushtet po humb përkrahjen.

Disa prej mbështetësve të Navalny-t planifikojnë të garojnë në zgjedhje.

Aleksei Navalny, i njohur si kritiku më i ashpër i Putin-it u ndalua në Rusi, në muajin janar, pas kthimit nga Gjermania. Ai u trajtua në një spital në Berlin, pas helmimit me agjent nervor Noviçok. Ndërkaq fajësoi shefin e Kremlinit se dha urdhrin për helmimin por Presidenca i hedh poshtë akuzat.

Putin ka qenë në pushtet si president apo kryeministër nga viti 1999.