Bota Rajoni

Moska reagon për shpalljen “non grata” nga Kosova të diplomatëve të saj, thotë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e për pasojë edhe vendimet e saj.

Ambasada ruse në Serbi ka reaguar në lidhje me shpalljen “non grata” të dy diplomatëve rusë nga ana e Republikës së Kosovës.

Në reagim theksohet se Moska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe për rrjedhojë vendimi i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore.

“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat, ‘qeverinë’ rajonale dhe strukturat e tjera. Për ne asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore”, thuhet në reagimin e Ambasadës ruse të Serbisë.

Kujtojmë se pasiten e djeshme, presidentja Vjosa Osmani njoftoi shpalljen “non grata” të dy diplomatët, të cilët kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Prishtinë.

“Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rusë persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligj zbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në njoftimin e presidentes.

Dy diplomatët rus të cilët Kosova i ka shpallur ‘Non Grata’ me argumentin se kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës janë Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev. Ky i fundit është i njohur për Shqipërinë, kjo sepse ky diplomat rus është shpallur ‘Non Grata’ edhe nga vendi ynë. Vendimi u mor në 21 janar, ku aso kohe qeveria shqiptare argumentoi se diplomati rus ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID duke u shndërruar në një kërcënim të shëndetit të qytetarëve.