Bota

‘Moti i çmendur’, Rekord zjarresh e përmbytjesh në Europë!

Moti në Europë është luhatur mes temperaturave jashtëzakonisht të ulëta për pranverën dhe një verë të nxehtë rekord vitin e kaluar, me temperatura përvëluese por edhe reshje të mëdha shiu, teksa zjarret në rajonin e Mesdheut shkrumbuan sipërfaqe toke me madhësinë e Qipros.

Këto janë përfundimet e raportit të pestë europian për situatën klimatike, të publikuar të premten, i cili del në përfundimin se vera e vitit 2021 ishte 1 gradë Celsius  më e nxehtë se mesatarja e viteve 1991-2020. Sipas këtij raporti, temperatura mesatare e ajrit në Evropë është rritur me rreth 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Kontinenti i vjetër shënoi një rekord të ri të përkohshëm nxehtësie verën e kaluar me 48.8 gradë Celsius, të regjistruara në ishullin italian të Siçilisë. Më parë, si dita më e nxehtë në Europë mbahej ajo e shënuar në Athinë në 1977 me 48 gradë Celsius. Ndërkohë, një front i ftohtë i ngritur, i krijuar në rajonet e Atlantikut e Arktikut, zbriti në jug drejt Europës, duke sjellë një mot të paqëndrueshëm në zonat qendrore e jugore të saj, sidomos në Mesdhe.

Hartuesit e raportit të situatës klimatike thonë se nuk është për tu çuditur dhe aq shumë nga luhatjet e forta të motit. Sipas tyre, në këtë fenomen po ndikojnë emetimet e vazhdueshme të dioksidit të karbonit dhe gazit metan, që të dyja të gjeneruara kryesisht nga djegia e karburanteve fosile. Raporti tregon se përqendrimi i metanit në atmosferë, një shkaktar i fuqishëm ky i efektit serë, është shtuar ndjeshëm, sidomos këto dy vitet e fundit, me ritmet më të shpejta të një dekade.

Duke cituar përmbytjet shkatërrimtare të muajit korrik në Gjermani që shkaktuan rreth 200 viktima, një studim i World Weather Attribution dilte në përfundimin se ndryshimet klimatike i shtuan me 9 herë gjasat e një tragjedie të tillë.