Aktualitet

Moti i keq, 1 metër ujë në rrugën e Obotit në Shkodër/Bogë-Theth i bllokuar nga ortekët e dëborës!

Moti do të përkeqësohet edhe ditët në vijim, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informon se në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Korçë e Gjirokastër do të ketë reshje bore. Brisilda Sina, përgjegjëse e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u bëri thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonat malore për arsye turizmi. Temperaturat minimale do të shkojnë në -3 gradë dhe moti pritet të përmirësohet pas 24 janarit.

Edhe sot, nivelet e lumenjve janë nën atë kritik, duke mos paraqitur rrezikshmëri për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

Në pikëmatjen në Lezhë, kuotat e lumit Drin janë në nivelin 0.7 nga 2 m që është niveli kritik. Në Shkodër, ura e Bahçallëkut shënon kuotën 6.1 nga 7.5 m niveli kritik. Niveli i liqenit në hidrometrin ura e Bunës regjistron 8.25 nga 8.7 m niveli kritik. Shifrat janë në ulje krahasuar me dje.

Shkarkimet nga Kaskada e Drinit sot janë 300 m3/s. Në digën Ura e Fanit, vazhdojnë me 80 m3/s, ndërsa në hidrocentralin e Shkopetit, 220 m3/s

Të gjithë hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë e nuk paraqesin problem për përmbytje.

Sa i përket furnizimit me energji, problematika ka vetëm në disa zona rurale të qarqeve Elbasan, Berat, Kukës e Shkodër. Strukturat e OSHEE-së në terren punojnë pa ndërpreje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht në të gjithë vendin.

Në Qarkun Shkodër, sipërfaqja e përmbytur është 1 mijë e 220 ha. 1 mijë e 200 janë në Njësinë Administrative Ana e Malit dhe 20 ha në atë Dajç.

Në Qarkun Lezhë, uji ka filluar tërheqjen duke e çuar sipërfaqen e përmbytur në 530 nga 770 ha që ishte dje. Në ish-kenetën Gjonem 200 ha, në Njësinë Administrative, Balldren 180 e në njësinë Zejmen 150 ha.

Sa i përket infrastruktures rrugore, qarkullimi vijon normalisht në të gjitha rrugët kombëtare. Ka prani dëbore në pjesën më të madhe të tyre, ndërsa firmat kontraktore punojnë për pastrimin dhe kriposjen.

Nga ortekët e dëborës, vijon i bllokuar aksi Bogë-Theth, ku ndërhyrja është e pamundur.

Edhe sot, rruga e Obotit vijon me prani uji në nivelin 60 cm. Një mjet i kalueshmërisë së lartë i Forcave të Armatosura është në gatishmëri për të mundësuar transportin atje.

Ndryshe nga dje kur ishte e bllokuar si pasojë e reshjeve të borës pa ndërprerje, qarkullimi në Rrugën e Arbrit sot vijon normalisht.

Si pasojë e motit të keq u dëmtua ura në fshatin Bardhaj të Bashkisë Shkodër, ajo e Gjinajve në Njësinë Administrative Vig-Mnele të Bashkisë Vau i Dejës, ura që lidh fshatin Kolsh dhe lagjen Malësia në Lezhë e gjithashtu ura në vendin e quajtur Kodër Mulliri po në Lezhë.

Për menaxhimin e çdo lloj situate, deri tani në nivel qendror janë angazhuar 50 forca ushtarake me 7 mjete të kalueshmerisë së lartë e mjete të tjera.

Eshtë siguruar mbështetja humanitare me 700 pako ushqimore, 900 batanije dhe 10 çadra për të gjitha bashkitë e Qarkut Dibër.