Aktualitet

Moti i keq, anulohet lundrimi i trageteve të linjës Bari-Durrës!

Ndërsa gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme, reshje shiu dhe bore përfshinë të gjithë vendin tonë, raportohet se u krijuan vështirësi në qarkullimin e mjeteve, kryesisht në akset Bogë-Theth e në Korçë-Dardhë. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) informon sot se është punuar pa ndërprerje për pastrimin e rrugës dhe me shpërndarjen e kripës. Nuk ka akse të bllokuara.

Temperaturat kanë qenë në vlera pozitive, duke mundësuar qarkullimin e mjeteve në të gjitha akset.

Ndërkohë, ARRSH apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore e zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore, të ulin shpejtësinë, si edhe të respektojnë sinjalistikën e udhëzimet e Policisë Rrugore.

Autoriteti Portual Durrës informon se sonte anulohet lundrimi i trageteve nga dhe drejt Portit të Barit.

Trageti i linjës Durrës-Ankona do të vijojë normalisht lundrimin mbrëmjen e sotme (nisja ora 19:00). Në bazë të parashikimit të Kapitenerisë së Portit të Durrësit mbi situatën hidrometeorologjike në Rajonin e Adriatikut, pritet përkeqësim i motit në orët në vijim dhe forca e detit do të shkojë deri në 7bft.

Ndërkaq, në Vlorë nuk lejohet dalja në det e mjeteve të vogla e të peshkimit, për shkak të kushteve të motit.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, për shkak të kalimit të një fronti të ftohtë.

Në këtë mënyrë, moti parashikohet me alternime  vranësirash deri te dendura. Po ashtu ka reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar në formë shtrëngatash, shoqëruar me shkarkesa elektrike kryesisht në bregdetin jugor. Në zonat malore të territorit shqiptar, nuk mungojnë reshjet e dëborës.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare  2 – 8m/s, pergjatë vijës bregdetare. Ndërkaq, në lugina era fiton shpejtësi dhe bëhet intensive e problematike pasi fryn me shpejtësi 14-20m/sek. Pasdite, era kthen për nga veriperëndimi. Valëzimi në dete është i forcës 4-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër
9/15
Re shi

Kukës
4/12
Re shi/bore

Lezhë
8/14
Re shi

Dibër
5/15
Re shi/bore

Durrës
11/16
Re shi

Tiranë
10/17
Re shi

Elbasan
10/17
Re shi

Berat
7/18
Re shi

Vlorë
11/16
Re shi

Korçë
3/13
Re shi/bore

Gjirokastër
5/16
Re shi

Sarandë
10/15
Re shi