Bota

Moti i keq godet Italinë!

Alarm portokalli në Sardenjë, ku moti i keq me shira po krijon shumë probleme, ashtu si edhe në pjesë të tjera të Italisë. Në Sant’Anna Arresi në Cagliaritano, një i moshuar rezulton i humbur. Mësohet se me makinën e tij kishte mbetur i bllokuar në një rrugë të përmbytur dhe sapo zbriti, u rrëmbye nga ujërat.

Në Siliqua, një shtëpi u shemb, por fatmirësisht nuk pati të lënduar edhe pse në brendësi ndodheshin dy të moshuar e djali i tyre. Po në Cagliaritano, në Burcei, mungon energjia elektrike ndërsa ujërat kanë përmbytur qendrën e Cagliari-t. Cikloni mesdhetar vazhdon të sjellë pasoja mes Sulcis, Cagliaritano-s e të gjithë jugut të Sardenjës. Në Muravera, pranë Cala Pira-s, që njihet si lokalitet turistik i bregut jug-perëndimor, shtëpitë përfunduan nën ujë.

Në Cagliari, nesër shkollat do të qëndrojnë mbyllur dhe autoritetet lokale iu bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet, pasi rrugët ende janë të përmbytura.

Një stuhi e fortë goditi disa komuna në Salento e Leçe. Pasojat më të mëdha janë në Castro ku në pak kohë, ranë gati 100 mm shi. Po ashtu, ka shembje në zonën Zinzulusa e në rrugën panoramike që çon në Marittima. Në Liguria u vendos zgjatja e alarmit të verdhë nga moti i keq. I njëjti nivel alarmi edhe në Veneto, të paktën deri sonte në orën 20:00.

Ndërkaq, në Toscana u vendos ndërprerja e udhëtimeve me tren në zonën mes Porretta Terme-s e Pistoia-s, për shkak të rrëshqitjes së dherave. Dëme pati edhe në Pisa, ku të premten në mbrëmje, një rrufe dëmtoi fasadën e godinës së Prokurorisë. Rrëzimi i një cope mermeri dëmtoi tre makina të parkuara aty pranë.

Në një tjetër zhvillim, Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou të Skocisë, iu bëri thirrje vendeve të botës, të fillojnë uljen graduale të prodhimit dhe përdorimit të qymyrit, në marrëveshjen e parë të këtij lloji.

Teksti përfundimtar i samitit u miratua përfundimisht nga rreth 200 shtete. Kjo është e para përmendje e qartë zyrtare për lëndët djegëse fosile në një marrëveshje të OKB-së për klimën.