Sociale

Moti i keq me rrebeshe e vetëtima “pushton” vendin; shënohet 1 viktimë në Dedaj

Moti i keq që ka përfshirë vendin ka shkaktuar një viktimë sot. Në Malësinë e Madhe rënia e rrufesë ka bërë që një banesë të përfshihet nga flakët, duke i marrë jetën pronarit Arben Ivanaj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dedaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe.

Edhe në Sarandë, rrufeja ka ka goditur një pallat. Fatmirësisht nuk ka konfirmin për persona të lënduar. Ndërkohë janë të shumta dëmet materiale. Përmbytje të akseve pati edhe në qytetin e Vlorës, ku uji vërshoi në zonën e Skelës dhe pranë Lungo Mares.

Në Tiranë lumi Lana ka dalë nga shtrati pas shirave të rrëmbyeshëm që vijojnë prej disa orësh. Lana është bërë njësh me bulevardin në zonën e Pallatit me Shigjeta.

Mësohet se për arsye sigurie, në këtë zonë është ndërprerë dhe energjia elektrike.

Ndërkohë nga reshjet e dendura të shiut janë shkaktuar problematika në disa akse rrugore.

Në Gramsh mjaftoi dy orë shi i rrëmbyeshëm që të përmbyteshin rrugët. Më problematike ishin segmentet brenda lagjeve, por edhe rruga kryesore e qytetit.

Sa i përket parashikimit të motit për orët në vijim, priten sërish shira, më të theksuara në zonat malore verilindore e juglindore. Nuk përjashtohet mundësia e breshërit në zona të izoluara. Temperaturat luhaten në vlerat ditore nga 10 deri në 30 gradë celcius.