Bota

Moti i keq me stuhi e tornado, 6 shtete amerikane pa energji elektrike!

Stuhitë dhe tornadot e dimrit që po godasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë shtete. Siç raportojnë media të ndryshme, më shumë se 45 mijë banorë në Luiziana kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që ndërprerje të energjisë janë raportuar edhe në Uiskonsin, Miçigan, Minesota, Pensilvani e në Virxhinian Perëndimore.

Vetëm në Uiskonsin, 70 mijë banorë janë pa energji elektrike që nga orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, në Florida dhe Xhorxhia, miliona njerëz ende marrin paralajmërime për tornado dhe duhet të presin deri sot pasdite.

Dje u raportua se të paktën tre persona humbën jetën, pasi një stuhi e fuqishme dimërore po lëviz në lindje të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar tornado në shtetet jugore dhe mbuluar me borë pjesën tjetër të vendit. Një djalë 8-vjeç e nëna e tij 30-vjeçe ndërruan jetë në Luiziana, kur shtëpia e tyre u shkatërrua nga një tornado. Në të njëjtin shtet e për të njëjtën arsye, edhe një grua 54-vjeçe gjeti vdekjen.

Stuhi të mëdha kanë goditur edhe pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar mbyllje të rrugëve e shkollave, pasi shumë shtete raportojnë se bora arrin deri në 1.2 metra lartësi. Rreth 3 mijë e 300 fluturime u shtynë dhe mbi 150 u anuluan.

Rreth 500 mijë persona në katër shtete: Nebraska, Uajomi, Dakota e Jugut dhe Minesota u paralajmëruan se do të përballen me stuhi bore, teksa erërat e fuqishme dhe reshjet e borës kanë vështirësuar udhëtimin. Po ashtu, miliona banorë të tjerë në mbarë Amerikën nuk u kursyen nga stuhi të fuqishme bore. Krahas Luizianës, Misisipit, Alabamës do të goditen edhe pjesë të Floridës.

Të paktën 18 tornado goditën Teksasin, Luizianën, Oklahomën e Misisipin, duke shkaktuar dëme materiale. Si rezultat i motit të keq, në Luiziana u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Parashikimet janë që pasojat të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme. Shumica e shteteve në Amerikë do të ndjejnë ndikimin e stuhive, me temperatura të ulëta e reshje bore. Përveç shteteve amerikane, edhe Kanadaja përballet me stuhi bore dhe erëra të fuqishme.