Aktualitet

Moti i keq, ministri Peleshi apel bashkive të njoftojnë qytetarët e zonave të rrezikuara!

Ndërsa paralajmëroi sot përkeqësim të fortë të motit në ditët në vijim, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi theksoi se në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë dhe Shkodër pritet që të ketë reshje të dendura shiu, të shoqëruara me shtrëngata të forta. Ai u bëri apel bashkive për të njoftuar qytetarët në zonat më të rrezikuara, veçanërisht në zonën e nën Shkodrës.

Bashkia Shkodër të marrë masa për monitorimin e lumenjve të Bunës, Kirit dhe Drinit, kontrollin e vazhdueshëm të argjinaturave të lumenjve dhe digave ujëmbledhëse, hidrovoreve në zonën e Velipojës, si dhe mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve logjistike dhe burimeve njerëzore. Bashkia Lezhë të monitorojë lumin Drin, kontrollin për funksionalitetin e hidrovoreve në zonat e Tales dhe Torovicës. Bashkia Dibër gjithashtu duhet të marrë masa për paralajmërimin në kohë të popullsisë, veçanërisht në zonat ku ka përrenj.

Peleshi bëri të ditur se deri tani nuk ka situata problematike dhe kuotat e lumenjve janë aktualisht në nivele normale.

Përkeqësimi i motit në 24 orët e fundit dhe në ditët në vijim, në pjesën veriore të vendit, na përball me rrezikun e emergjencave të natyrave të ndryshme, pothuajse në të gjithë vendin. Për shkak të reshjeve me intensitet, ku sasia më e madhe deri tani është regjistruar në Alpe me rreth 120 mm, konkretisht në Theth dhe Valbonë dhe rreth 100 mm në zonën e Pukës, kanë shtuar prurjet në kaskadën e Drinit. Konkretisht në Liqenin e Fierzës prurjet llogariten 450 m3/s, në Koman 560 m3/s dhe në Vaun e Dejës 130 m3/s. Deri tani, nga raportimet e bëra, nuk ka situata problematike dhe kuotat e lumenjve janë aktualisht në nivele normale.

Ministri tha se në ditët në vijim deri më 21 janar pritet të vijojnë reshje me intensitet dhe se shtabet e emergjencave dhe njësitë e qeverisjes vendore janë në gatishmëri.

Shtabet e emergjencave kanë marrë masat për të parandaluar përmbytjet e mundshme, por një sasi e jashtëzakonshme reshjesh në disa zona, mund të na përballë me emergjenca të pashmangshme, ndaj ka vlerë të jemi të ndërgjegjësuar dhe të marrim masa shtesë për të siguruar jetën dhe pasurinë e qytetarëve tanë.

Sipas tij, parashikimet janë që prurjet në basenin e Fierzës të shkojnë deri 5800 m3/s. Ministri Peleshi bëri të ditur se është ndaluar dhënien e lejeve për operimin e anijeve të vogla lundruese dhe anijet e vogla të peshkimit në gjirin e Vlorës.