Aktualitet

Moti i keq ndërpreu fluturimet në Aeroportin e Rinasit, avioni bën ulje të detyruar në një tjetër shtet

Moti i keq gjatë ditës së sotme ka sjellë probleme jo vetëm në akset rrugore të vendit, por edhe në linjat e fluturimit. Sipas burimeve për albeu.com, avioni i linjës Dortmund-Tiranë është ulur në aeroportin e Barit për shkak të motit të keq.

Ndalesa në Bari ka qenë një ulje e detyruar, për shkak të vështirësive të krijuara nga reshjet e shiut dhe erërat e forta.

Fatmirësisht ulja është kryer me sukses duke mos e agravuar më tej situatën. Gjithashtu edhe avioni i nisur nga Nice, Francë me destinacion Tiranën është ulur në Brindisi, Itali.

Por moti i keq ndikoi sot në të gjithë vendin duke sjellë problematika. Në Librazhd, lagështira në rrugë bëri që drejtuesi i një makine të humbiste kontrollin dhe automjeti u përmbys, fatmirësisht pa pasoja serioze.

Në qytetin e Elbasanit u rrëzua një pemë duke bllokuar rrugën pranë Urës së Zaranikës.

Në rajonin juglindor, krahas dëmeve në bujqësi, mesditën e sotme në aksin kombëtar Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec, era e fortë rrëzoi një pemë duke bllokuar një anë të rrugës. U punua për heqjen e pemës dhe rikthimin në normalitet të trafikut.

Ndërkohë, në Maliq breshëri dëmtoi të mbjellat e fermerëve, kryesisht në fshatrat Pendavinj e Tërovë.

Po për shkak të shirave intensivë, uji vërshoi nëpër akse e lagje, madje duke prekur dhe disa biznese në qytetin e Lezhës. Situata më problematike u krijua ne bulevardin “Gjergj Fishta”, në rrugën pranë shkollave dhe bllokun e banimit “11 Janari”. Rritja e nivelit të ujit vështirësoi lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Reshjet e dendura sollën probleme edhe në Kurbin, madje duke bllokuar lëvizjen e automjeteve në Fushë Mamurras. Nga bllokimi i nënkalimit në aksin e autostradës Milot-Thumanë, një pjesë e makinave u detyruan të kthehen, për të ndjekur rrugë alternative.