Aktualitet

Moti i keq, pasojat e para në vend!

Disa zona të vendit po përballen me pasojat e para të motit të keq. Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që në Durrës të rikthehen përmbytjet e rrugëve pranë stadiumit e që çojnë drejt Currilave, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e kalimtarëve, si dhe është rënduar trafiku.

E njëjta situatë në Lezhë ku gjithashtu disa fshatra janë pa energji elektrike. Në Elbasan, shirat shkaktuan rënien, si dhe nga problemet në tre fidra mungon energjia në një numër fshatrash.

Në bashkitë e Lezhës e Kurbinit, niveli i ujërave në lumenj dhe sistemin kullues si pasojë e reshjeve është mbi kuotat mesatare, po pa probleme të prezencës së ujit në sipërfaqet e tokës bujqësore. Prefekti i qarkut Lezhë, Gjok Jaku, informoi mbi situatën e shkaktuar nga reshjet.

Gjatë 24 orëve të fundit në zonat e ulëta dhe bregdetare ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar, të cilat vijojnë edhe tani, kurse në zonat malore në lartësitë mbi 1000 metra ka reshje të dëborës. Sasia e reshjeve në territorin e bashkisë Lezhë është rreth 45 mm dhe në territorin e bashkisë Kurbin është rreth 65 mm. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë për evadimin e ujërave nga basenet e tyre, duke ruajtur nivelin e kuotave. Ndërkohë, në bashkinë Mirditë ka reshje të shirave rreth 50 mm, kurse në lartësitë mbi 1000 m ka reshje të dëborës, pa probleme për bllokimin e rrugëve rurale dhe ato bashkiake. Rrugët nacionale dhe Rruga e Kombit kalohen pa probleme. Furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm është pa probleme. Rezervuarët po monitorohen për prezencën e ujit në basenin e tyre dhe sigurinë e digave.

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se pavarësisht reshjeve të shumta orët e fundit, të gjitha akset janë të kalueshme normalisht. Sipas ARRSH-së, gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit pati reshje me intensitet mesatar, por pa penguar qarkullimin në akset nacionale. “Kontraktorët kanë bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës dhe janë në terren gati për çdo situatë”, theksohet në njoftim. Drejtuesve të automjeteve iu bëhet thirrje të tregojnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore e të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështirës.

Kujtojmë se në buletinin më të fundit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, Lezha është mes qarqeve që rrezikohen nga përmbytje e rrëshqitje toke. Po kështu Vlora, Gjirokastra e Berati. Në to mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjëve të vegjël malorë.

Sa i përket parashikimit të motit për sot, sipas shërbimit MeteoAlb, paradite, vranësirat e shpeshta mbeten prezente duke sjellë reshje të dendura, sidomos në veri e në qendër. Pasditja e mbrëmja sjellin pakësim të shirave. Era me shpejtësi 60 km në orë nga drejtimi jugor, krijon dallgëzim 5 ballë. Temperaturat variojnë nga minus 2 në 14 gradë celcius.

Përkeqësimi i kushteve meteorologjike në Gjirin e Vlorës po pezullon lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.

Në njoftimin e një dite më parë, por që mbetet aktual, Bashkia Vlorë thekson:

Të nderuar qytetarë!
Parashikimet e meterologëve paralajmërojnë mot të keq prej pasdites së sotme 5 Dhjetor deri më 7 Dhjetor!
Reshjet e shiut do të intensifikohen prej orës 18.00 e në  vazhdim të shoqëruara dhe me stuhi te forta, për këtë arsye do t’ju luteshim të shmangni lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike si dhe parkimin e automjeteve në to.
Paralajmërimet e meteorologëve për fortuna kërkojnë  të jemi të kujdesshëm!  Për çdo nevojë urgjente  kontaktoni me Shërbimet Publike të Bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime, ose në faqen tonë zyrtare në “Facebook”.

Impakti i reshjeve, shoqëruar me shkarkesa (rrufe), në rrjetin elektrik është konstatuar në zonat rurale dhe pjesërisht në rrethinat e qyteteve Peshkopi dhe Shkodër. Në disa lagje të Shkodrës ka probleme të furnizimit me energji elektrike, si pasojë e dëmtimit të shtyllës 35kV.

Situata në Kaskadën e Drinit:

Prurjet natyrore në kaskadë janë 1481 m3/s.
Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë:
Hec Fierzë 270.23 mmnd,
Hec Koman 172.27 mmnd,
Hec Vau Dejës 74.60mmnd
Prodhimi në të tre HEC-et është :
* Hec Fierzë, 1610 MWh (ditor)
* Hec Koman, 7210 MWh (ditor)
* Hec Vau Dejës, 4130 MWh (ditor)