Aktualitet

Moti i keq, përmbytje e problematika nga veriu në jug/Rrëshqitje dherash në Rrugën e Kombit!

Nga shirat e orëve të fundit, niveli i Ishmit u rrit e për pasojë lumi doli nga shtrati në Murqinë, Mallkuç e Bilaj në Fushë Krujë. Janë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore, duke izoluar disa familje në Murqinë.

Raportohet se në Lezhë janë përmbytur rreth 200 ha tokë në Balldren, ndërsa ka ndërprerje të energjisë elektrike në Perlat. Po ashtu njoftohet për përmbytje në fshatrat Blinisht e Dajç.

Gjithashtu, reshjet kanë sjellë problematika edhe në të tjera zona të vendit. Në Rrugën e Kombit, pranë Repsit, pati rrëshqitje dherash e gurësh, ndaj drejtuesit e automjeteve këshillohen të bëjnë kujdes.

Mëngjesin e sotëm u bllokua qarkullimi në rrugën e Arbrit, pranë tunelit të Murrizit. Shkak u bë shembja e një masivi të madh dheu, pak metra larg hyrjes së tunelit, por mjetet mund të kalojnë. Gjithashtu probleme në Burrel-Milot.

Ndërkohë, në jug të vendit, shirat dhe erërat e forta rrëzuan disa pemë në Sarandë, duke bllokuar përkohësisht rrugën Dermish-Cerkovicë. Ndërhyrja e zjarrfikësve të Finiqit mundësoi hapjen e saj dhe normalizimin e gjendjes.

Moti i keq ka shkaktuar çarjen e digës së përroit të Hundëkuqit në Gjirokastër. Rrezikohet përmbytja e rrugës që të çon në këtë fshat. Në Labovë ka rrëshqitje dherash. Në disa zona të Gjirokastrës mungon energjia elektrike.

Në Tepelenë është bllokuar rruga Bënçë-Lekdush, si pasojë e rënies së inerteve nga lartësitë, nuk mund të bëhet qarkullimi i mjeteve në fshatrat Rexhin, Nivicë, Progonat, Lekdush e Bënçë.

Në Vlorë u pezullua lundrimi detar. Gjithashtu, pati prani inertesh në Brataj e rrëshqitje gurësh dhe dherash, por pa problematika.

Sipas sinoptikanëve, edhe sot vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, me masa ajrore të lagështa dhe origjinë jugperëndimore.

Moti parashikohet i vranët në të gjithë territorin shqiptar. Deri në orët e mesditës, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet mesatar e hera herës deri të lartë, në një pjesë të madhe të vendit tonë.

Prej orëve të mesditës, reshjet e shiut humbasin intensitet, edhe pse përsëri mbeten me intensitet të ulët e mesatar në të gjithë territorin. Lokalisht reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike. Mjegull/mjegullinë nga reshjet e shiut.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare 1-6 m/sek përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 8-12m/sek, duke u shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë. Ndërkohë, temperaturat luhaten në vlerat ditore nga 7-16 gradë celcius.