Aktualitet

Moti i keq, peshkarexhat në Durrës pezullojnë lundrimin!

Moti i keq me erë dhe reshje shiu, pezullon lundrimet në sektorin e peshkimit në Durrës. Prej disa ditësh, anijet e flotës së peshkimit kanë shmangur gjuetinë e peshkut pasi kushtet e motit janë të paqëndrueshme dhe nuk favorizojnë daljen në det.

Peshkarexhat qëndrojnë të ankoruara në portin e peshkimit, në pritje të përmirësimit të motit në det të hapur për të rinisur gjuetinë. Parashikimet flasin për një qetësim të kushteve atmosferike pas datës 20 maj.

Ndërkohë shpresat e punonjësve të peshkimit janë përqëndruar te hapja e vendit dhe kthimi i turistëve këtë sezon, çka do të ndikonte edhe në rimëkëmbjen e këtij sektori të cënuar gjithashtu rëndë nga pandemia. Kjo për shkak të uljes së konsumit të peshkut dhe prodhimeve të detit.

Sa i përket parashikimit për sot, në vendin tonë përgjatë gjithë ditës do të dominojë mot i përkeqësuar, me shira me intensitet të ulët e përkohësisht mesatar. Në veriperëndim e bregdet, reshjet janë edhe në formën e shtrëngatave, me rrufe të izoluara.

Temperaturat variojnë:

Zonat malore 7-19

Vendet e ulëta 12-21

Bregdeti 10-21 gradë celcius.