Aktualitet

Moti i keq pezullon nisjen e trageteve të linjës Durrës-Bari-Durrës!

Për shkak të motit të keq shtyhet lundrimi në dy brigjet e Adriatikut, ndërsa ka pasur vonesa 8-orëshe në linjën Durrës-Bari-Durrës. Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton:

Në bazë të komunikimeve të Kapitenerisë së Portit Durrës me Kapitenerinë e Portit të Barit, si rezultat i përkeqësimit të kushteve atmosferike në zonën detare të Barit si edhe nga konfirmimi i agjencive detare, në datën 10 janar tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës nuk do të nisen nga portet respektive në orarin e zakonshëm, 23.00.

Tragetet do të nisen rreth orës 7:00 të mëngjesit të së mërkurës, në datën 11 janar. Kompanitë e lundrimeve duhet të respektojnë detyrimet që lindin nga anulimi i lundrimit.

Drejtoria Detare informoi pasagjerët se kompanitë e lundrimeve do të respektojnë gjithë detyrimet që lindin nga anulimi i lundrimit. Në këtë rast, ftoi qytetarët të kontaktojnë me agjencitë detare.