Aktualitet

Moti i keq, qarku Shkodër më i prekuri/Sot kërkime me dron për dy të zhdukurit në Malësi të Madhe!

Vazhdojnë pasojat e motit të keq që ka mbërthyer vendin, me stuhi të forta dhe reshje të dendura shiur. Më problematike, situata paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku rrjedha e ujit mori babanë me dy fëmijët në Bogë të Malësisë së Madhe. Vajza arriti të shpëtonte, ndërsa ende asnjë gjurmë të Pjetër Rushjat e djalit të tij. Ditën e sotme nisin kërkimet me dron për të bërë të mundur gjetjen e makinës së Rushajt. Ndërkohë, Ministria e Arsimit mori vendimin për pezullimin e mësimit në 16 shkolla të qarkut Shkodër.

Në qarkun e Lezhës janë 1 mijë e 500 hektarë tokë bujqësore të përmbytura në Zadrimë, Torovicë e gjithashtu në Kakarriq. Gjatë natës pati reshje shiu me intensitet disi më të ulët, çka ndikoi pozitivisht në uljen e nivelit të prurjeve në lumenjtë Drin e Gjadër, si edhe në kanalet e ujërave të larta. Disa zona ende kanë probleme me energjinë elektrike dhe ka raste kur shkëputjet bëhen për arsye sigurie. Ndërkaq, u bllokua rruga që lidh fshatin Blinisht me superstradën Lezhe-Shkodër. Për shkak të pranisë së ujit, ky segment nuk është i kalueshëm për automjetet.

Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, në Fushë Krujë doli nga shtrati lumi Ishëm. Uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore, kryesisht në fshatrat Murqinë e Mallkuç ku në ara, niveli i ujit shkon në rreth 50 cm. Aktualisht janë 10 banesa të izoluara nga ujërat në Murqinë.

Problematika nga moti i keq edhe në disa akse të Gjirokastrës, përfshirë atë kombëtar Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” në Ballaban. Të tjera rrugë janë:

Aksi Ballaban-Këlcyrë, ai rural Valare-Çajup, Suhë-Zagorie, Ura e Kardhiqit-Sarandë pranë tunelit të Skërficës, Kolonjë-Golem e aksi rural Zenelaj-Zhulat.

Po ashtu, u krijuan probleme me furnizimin me energji elektrike në njësitë administrative Luftinjë, Piskovë, Frashër, Zagorie, Dropull i Sipërm, si dhe Odrie.