Aktualitet

Moti i keq shtyn për nesër punimet e riparimit në autostradën Tiranë-Durrës

Moti i keq me reshje shiu shtyn me një ditë, nisjen e punimeve për riparimin e shtresave asfaltike në autostradën Tiranë-Durrës, në segmentin Qafë Kashar-Ura e Dajlanit. Ato ishin parashikuar të fillonin sot por tashmë spostohen për nesër ndonëse ecurua e tyre do të jetë në varësi të kushteve të motit.

Në vijim të njoftimit të mëparshëm, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se për shkak të reshjeve të shiut punimet për riparimin e shtresave asfaltike në aksin “Autostrada Tiranë-Durrës, segmenti Qafë Kashar-Ura e Dajlanit” të parashikuara për të filluar në datë 7 prill 2021 do të shtyhen për ditën e nesërme datë 8 prill. Vijimësia e punimeve do të jetë në varësi të kushteve të motit. Ndërkohë,  shtuautostrada Tiranë-Durrës do të jetë e lirë për qarkullimin e mjeteve.

Gjatë kohës së punimeve në autostradë, automjetet do të qarkullojnë në një korsi të saj. Për të shmangur krijimin e radhëve të gjata në trafik, drejtuesve iu rekomandohet edhe përdorimi i rrugëve dytësore.

Sqarojmë se sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të rishikuar, qarkullimi i mjeteve do të realizohet në një korsi të Autostradës Tiranë-Durrës. Gjatë periudhës kohore që do të realizohen punimet, mjetet udhëzohen të përdorin kalime të tjera në rrugën dytësore nga Mbikalimi Kamëz, degëzimi për QTU, etj.

Sa i përket situatës së motit, sot në vendin tonë dominojnë kushte të paqëndrueshme atmosferike, me vranësira të shumta e shira në Ultësirën Perëndimore. Në zonat malore rishfaqen reshjet e dëborës. Temperaturat variojnë nga minus 3 në 14 gradë celcius.