Aktualitet

Moti me erë, stakime të energjisë në Fier dhe Vlorë!

Disa rajone të vendit janë përfshirë sot nga moti i keq, shoqëruar me stuhi ere të fortë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE bëri të ditur se nga raportimi i deritanishëm, rajonet më të prekura nga defektet janë Fieri dhe Vlora, kryesisht në akse me linja ajrore.

Njoftimi i Dispeçerisë qendrore të OSSH-së:

Shkak i këtyre stakimeve është bërë moti i keq me erëra të forta, që ka përfshirë këto rajone gjatë natës së mbrëmshme, duke vazhduar edhe gjatë mëngjesit të ditës së sotme. Defektet janë kryesisht të llojit: këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, shkarkuesish, bashkime përcjellësash, etj.

Nga brigadat e terrenit të OSHEE-së në të gjithë vendin po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura. Vështirësi në riparimin e defekteve paraqiten në zonat rurale, ku linjat janë kryesisht ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në riparimin e tyre, për shkak të terrenit të vështirë që kalojnë këto linja.

Drejtoria e Portit të Vlorës paralajmëroi përkeqësim të motit gjatë pasdites së sotme dhe ditës së shtunë. Përmes një njoftimi, autoriteti portual kërkon që mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit të mos dalin në det, pasi për shkak të motit të keq do të ketë dallgë të forta që pritet të shkojnë deri në lartësinë tre metra e gjysmë. Përmirësimi i situatës meteorologjike pritet nesër pas mesdite.

Vendi ynë vijon edhe sot nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ndikuar nga masa ajrore të lagështa me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura, si dhe alternime kthjellimesh të herëpas’hershme e afatshkurtra. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht në periudha afatshkurtra në formën e shtrëngatave.

Duke filluar nga orët e pasdites dhe kryesisht ato të mbrëmjes në zonën e veriperëndimit dhe në jugperëndim ka reshje me intensitet mesatar deri dhe të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me breshër e shkarkesa elektrike. Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim dhe shpejtësi mesatare 1-10m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era tepër intensive me shpejtësi deri në 15-22m/s do të sjellë edhe dallgëzim të lartë në det me forcën 5-7 ballë.