Aktualitet

Moti në vend vijon i paqëndrueshëm, nuk ka rrugë të bllokuara!

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH njofton se gjatë natës së kaluar pati reshje shiu me intensitet mesatar, pa shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve.
Sipas ARRSH-së, kontraktorët kanë qenë në terren ku kanë bërë pastrimin e akseve nga rënia e gurëve apo inerteve si në: Qafë Mali-Fierzë, Sopot-Kam, Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm, Gramsh-Kodovajt dhe në zonën e Poçemit. Ndërsa në Valbonë, në Qafën e Qarrit, në Dardhë dhe në Voskopojë ka pasur reshje bore, rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vazhdon pa probleme. ARRSH njofton drejtuesit e makinave të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.

Masat e ftohta siberiane mbërritën në vendin tonë duke sjellë reshje dëbore në të gjithë zonën malore, përgjatë shtrirjes Lindore, si edhe shira të dobët në Ultësirën Perëndimore. Parashikohet që orët e pasdites të sjellin ndërprerje të reshjeve, duke sjellë intervale të shkurtra me kthjellime. Prania e lagështirës së lartë në ajër, bën që i ftohti të ndihet edhe më shumë. Temperaturat variojnë nga minus 1 në 12 gradë celcius. Era fryn mesatarisht me shpejtësi 65 km në orë nga drejtimi verilindor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 5 ballë.