Aktualitet

Moti vijon i paqëndrueshëm, por të gjitha akset janë të kalueshme në vend!

Sa i përket parashikimit të motit, një tjetër sistem i fuqishëm vranësirash është vendosur sot në territorin shqiptar, duke sjellë shira të dendur në pjesën më të madhe të vendit. Në zonat malore ka reshje të pakta dëbore, kryesisht verilindja.

Sipas shërbimit MeteoAlb, parashikohet që në kushtet e vranësirave dhe shirave të mbetemi deri në orët e vona të mbrëmjes kur pritet ndërprerje e tyre, për t’u rikthyer mëngjesin e nesërm, në të gjithë Shqipërinë. Era fryn mesatare deri e fortë, me shpejtësi 65 km në orë nga drejtimi jugor dhe në brigjet detare krijohet dallgëzim 5 ballë. Ndërkohë, temperaturat e ajrit kanë pësuar rritje e variojnë nga 1 në 19 gradë celcius.

Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se të gjitha akset janë të kalueshme, në mbarë vendin. Gjithashtu, ARRSH-ja bën apel për përdoruesit e automjeteve, që të tregojnë kujdes në lëvizje e kjo për shkak të lagështisë në rrugë.

Reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin, pa sjellë probleme në akset nacionale dhe me qarkullimin e mjeteve. Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në terren për pastrimin e akseve nga rënia e materialeve në trup të rrugës. Përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, për shkak të lagështisë në rrugë.

Në Vlorë është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla e të peshkimit. Në Shkodër, përmbytja e disa rrugëve nga shirat ka vështirësuar qarkullimin e makinave.

Grupet e avarisë së OSSH-së në Korçë ndodhen në terren për riparimin e linjës elektrike në Ersekë, të dëmtuar si pasojë e reshjeve të mëdha të dëborës.

Për shkak të motit të keq, me reshje bore e stuhi, disa zona të thella malore në qarkun e Korçës kanë mbetur pa energji, si pasojë e dëmtimit të linjave të tensionit të mesëm.

Sipas informacionit të dispecerisë rajonale të OSHEE-së, një nga fiderat e NST Mollas, është dëmtuar duke lënë pa energji zonën e Panaritit, Selenicë Pishës, që furnizohen nga NST Mollas-Ersekë.

Grupet e avarisë së OSSH, rajoni Korçë ndodhen në terren dhe kanë konstatuar se janë dëmtuar 6 shtylla druri e 8 betoni TM si dhe janë këputur përcjellës e izolatorë. Megjithëse, punonjësit e OSSH-së janë në gatishmëri me mjetet e duhura për riparimin e dëmit, terreni i vështirë malor dhe reshjet e borës mbi 40 cm kanë sjellë dhe vonesë në riparimin e avarive e rikthimin në kohë sa më të shpejtë të energjisë elektrike.