Sport

Moto GP, anulohet gara e Finlandës!

Çmimi i Madh i Finlandës, gara e Kampionatit Botëror MotoGP, është anuluar për shkak të vonesave në punimet që po bëhen në pistë dhe situatës gjeopolitike të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Finlanda ndan kufirin me Rusinë dhe ka kërkuar që të hyjë në NATO, duke zgjedhur të mos vazhdojë më me politikën e neutralitetit, nxitur nga agresioni rus.

Po kështu veproi edhe Suedia, ndërsa momentalisht hasin kundërshtimin e Turqisë që i akuzon për mbështetje të terroristëve, referuar kurdëve, të strehuar në territoret e Finlandës e Suedisë.

Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit, FIM konfirmoi për anulimin e Çmimit të Madh të Finlandës. Në një deklaratë të bërë publike, theksohet:

Rreziqet që paraqet situata aktuale gjeopolitike në rajon si dhe punimet në pistën KymiRing, fatkeqësisht kanë bërë të pashmangshëm anulimin e Çmimit të Madh të Finlandës 2022. Kushtet aktuale kanë vonuar dhe rrezikuar punën në pistën e re.

FIM vuri në dukje se kalendari i këtij viti do të reduktohet në 20 gara, me anulimin e Çmimit të Madh të Finlandës, i cili ishte planifikuar për në datën 10 korrik. Kampionati Botëror i Motoçiklizmit është gara më e rëndësishme në garat e motoçikletave. Kampionati i parë botëror u organizua nga Federata Botërore e Motoçiklizmit në vitin 1949.