Sport

Moto GP, Italia është ndalesa e radhës!

Kampionati Botëror MotoGP vazhdon me garën e tetë të sezonit, të organizuar nga Italia. Sot nisin raundet kualifikuese me 23 xhiro, në pistën 5.2 kilometra të Mugello-s pranë Firences ndëra nesër zhvillohet gara. Deri më tani, Enea Bastianini (Gresini) ka fituar tri gara. Fabio Quartararo (Monster Energy Yamaha), Miguel Oliveira (Red Bull KTM), Aleix Espargaro (Aprilia) dhe Francesco Bagnaia, (Ducati Lenovo) nga një.

Para garës në Itali, pesë pilotët e pozicionuar më mirë janë: Fabio Quartararo (Francë) me 102 pikë, Aleix Espargaro (Spanjë) 98, Enea Bastianini (Itali) 94, Alex Rins (Spanjë) 69 dhe Jack Miller (Australi) me 62 pikë.

Ndërkohë, kujtojmë se Çmimi i Madh i Finlandës, gara e Kampionatit Botëror MotoGP, është anuluar për shkak të vonesave në punimet që po bëhen në pistë dhe situatës gjeopolitike të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Finlanda ndan kufirin me Rusinë dhe ka kërkuar që të hyjë në NATO, duke zgjedhur të mos vazhdojë më me politikën e neutralitetit, nxitur nga agresioni rus. Po kështu veproi edhe Suedia, ndërsa momentalisht hasin kundërshtimin e Turqisë që i akuzon për mbështetje të terroristëve, referuar kurdëve, të strehuar në territoret e Finlandës e Suedisë.

Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit, FIM konfirmoi për anulimin e Çmimit të Madh të Finlandës. Në një deklaratë të bërë publike, theksohej:

Rreziqet që paraqet situata aktuale gjeopolitike në rajon si dhe punimet në pistën KymiRing, fatkeqësisht kanë bërë të pashmangshëm anulimin e Çmimit të Madh të Finlandës 2022. Kushtet aktuale kanë vonuar dhe rrezikuar punën në pistën e re.

FIM vuri në dukje se kalendari i këtij viti do të reduktohet në 20 gara, me anulimin e Çmimit të Madh të Finlandës, i cili ishte planifikuar për në datën 10 korrik. Kampionati Botëror i Motoçiklizmit është gara më e rëndësishme në garat e motoçikletave. Kampionati i parë botëror u organizua nga Federata Botërore e Motoçiklizmit në vitin 1949.