Sport

MotoGP në zi, humb jetën piloti Jason Dupasquier!

Një lajm tragjik trondit botën e MotoGP-së!

Piloti zviceran Jason Dupasquier i Moto 3 që u përfshi në një aksident të rëndë gjatë kualifikueseve ndërroi jetë në mëngjes duke mos i mbijetuar plagëve të shumta. Ai ishte shtruar në spitalin Careggi të Firences në Itali ku gjatë natës iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale por pa sukses.

Në llogarinë zyrtare në Twitter të MotoGP-së shkruhet:

Do të na mungosh shumë, u prehsh në paqe!

Pas operacionit, gjendja shëndetësore e 19-vjeçarit u përkeqësua ndjeshëm edhe pse iu dha ndihmë e menjëhershme mjekësore ndërsa për në spitalin Careggi u transportua me helikopter.

Dupasquier u rrëzua dhe fillimisht u shtyp nga motori që drejtonte përpara se të përplasej nga Ayumu Sasaki e Jeremy Alcoba. Ky i fundit deklaroi se po ecte me të gjithë shpejtësinë dhe kur Jason frenoi menjëherë u përpoq të devijonte në të djathtë për ta shmangur.

Nuk ia dola, mendoj se e godita në pjesën e këmbëve.

I lindur në Bulle, qytezë zvicerane, Dupasquier ishte djali i Philippe Dupasquier, pilot i motocross. Dashuria për motorët i nisi që në moshën 5-vjeçare dhe pas përvojës në Supermoto, me sukseset në ADAC Junior CUP dhe North European Cup në Moto3, zvicerani hodhi hapat e parë në Botërorin e Motorëve duke marrë pjesë në MotoGP Rookies Cup në 2019-ën.

Vitin e kaluar debutoi në Botëror në Moto3 me skuadrën PruestelGP. Këtë vit, pas pesë garave kishte mbledhur 27 pikë.