Rajoni

MPB në Kosovë: “Shmangni pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut!”

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë iu bën thirrje qytetarëve që të shmangin pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjak e Jarinjë.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët, të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë të Mitrovicës, t’i shmangin, për shkak të pengesave të mundshme në rrugë.

Serbët atje protestojnë kundër vendimit të Prishtinës zyrtare që po heq targat e autoveturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti, siç veprojnë autoritetet serbe me ato të regjistruara në Kosovë. Në pikëkalimet kufitare, makinat që hyjnë nga territori serb duhet të pajisjen me targa të përkohshme. Për to paguhet 5 euro dhe janë me vlefshmëri 60-ditore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur në Kuvend, tha se ky vendim nuk është kundër serbëve dhe nuk ka për qëllim të shkaktojë destabilizim, por vetëm respektim të marrëveshjes së lëvizjes së lirë, të arritur me Serbinë në Bruksel, kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Si kryeministër i Kosovës, ju siguroj se këto veprime nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë e nuk kanë për qëllim t’iu cënojnë lëvizjen e lirë apo të provokojnë destabilizim. Po fillon zbatimi i marrëveshjes me të cilën ka rënë dakord edhe Serbia.

Bashkimi Europian ndërkaq ka bërë thirrje që palët të ulin tensionet në veri të Kosovës me shumicë serbe ku janë dislokuar njësite speciale policore.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i kërkon Kosovës dhe Serbisë, të punojnë në krijimin e një klime që do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljen e tensioneve. Sipas tij, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian është platformë për të zgjidhur çështjet e hapura mes dy vendeve. “Po fokusohemi për të shmangur situata si kjo që është tani në veri të Kosovës”, – u shpreh Stano ndërsa përsëriti qëndrimin se “të gjithë duhet të punojnë në frymën e promovimit të dialogut”.