Art & Kulturë Çdo gjë është ashtu si duket

Muhabetet e shqiptarëve në kafe janë vetëm politike, nuk flasin për libra…

Të ftuar në këtë episod të ‘Çdo Gjë Është Ashtu Si Duket’ ishin dy gazetarët politikë dhe njëkohësisht dy miq shumë të mirë Ambrozia Meta dhe Renaldo Salianji. Si dy gazetarë që përpos politikës kanë shumë njohuri lidhur me kulturën, dyshja treguan mendimet sipas tyre se sa vlerësohet kultura në vendin tonë dhe gjithçka lidhet me të.

Fillimisht, gazetarët u shprehën se transmetimi i kulturës në televizion është shumë ‘i vakët’.

Ambrozia- Kultura vendoset në fund të edicionit të lajmeve. Ka raste kur kultura nuk transmetohet sepse kalon minutazhi. Është shumë e nënvlerësuar në vendin tonë, është një nga shkaqet pse vuan shoqëria jonë nga shumë gjëra të tjera.

Renaldo- Gazetarit të kulturës i jepet fjala e fundit për të folur, nuk i jepet kamera edhe kur gjen një kamera vetë i shtyhet kronika. Këto janë gjëra që përsëriten çdo ditë dhe kur t’i përpiqesh të bësh një kronike dhe të thonë që shih se ishin poltikanët ‘live’ e transmetojmë nesër, si mund të bësh një kronikë tjetër nesër? Nuk vlerësohet puna fare. Është sistemi, është krijuar ideja që ‘kultura nuk shet’. 

A janë edukuar shqiptarët në këtë lloj mënyre dhe i kujt është faji për mungesën e kulturës në vend?

Ambrozia- Është diçka që nuk mund ta bëj media, kultura është diçka që merret në moshë të vogël, në familje. Zgjidhja është edukimi i fëmijëve që të vegjël. Jo si bëjnë shumë prindër që i bien shumë shkurt dhe i lënë fëmijët me ‘smartphone’, çdo gjë vjen nga fëmijëria që ne kalojmë, prandaj i largohen kulturës dhe i afrohen politikës. Duke qenë se njerëzit nuk konsumojnë kulturë, muhabetet në kafe më të pranishme të shqiptarëve janë muhabete politike, nuk i dëgjoj të flasin për kulturë, për libra. 

Renaldo- Unë mendoj që mediat kanë në dorë ta ndryshojnë pak këtë gjë, nëse media servir gjatë gjithë kohës politikë, njerëzit atë do kërkojnë.