Dilema Sociale Showbiz

Muhamed Veliu: “Më kanë sharë me libër shtëpie por kam krijuar imunitet”

Folëm për gjuhën e urrejtjes sot tek “Dilema Sociale”, përkatësisht për atë që ndodh në rrjetet sociale, sidomos këtë periudhë që jemi në prag zgjedhjesh dhe partitë po bëjnë lëvizjet e tyre në platformat online duke nxitur njerëzit.

I ftuar në studio krah Eno Popit, ishte gazetari i njohur i Top Channel, Muhamed Veliu i cili foli më shumë mbi këtë fenomen që duket se do të thellohet tani që zgjedhjet e 25 prillit përfliten se do të zhvillohen me anë të një procesi online. Sa i përket gjuhës së urrjetjes në media, si gazetar i cili e gjen shpesh veten në terren, Veliu tha se me këto është përballur aq shumë sa nuk i numëron dot rastet.

“Më kanë sharë me libër shtëpie por tashmë kam krijuar imunitet ndaj këtyre sulmeve. Shqetësohem më shumë për familjen time e sidomos për bashkëshorten time pianiste e cila nuk është e kësaj fushe. Nuk është e lehtë kur ajo lexon nëpër portale apo në media të tilla fjalë e epitete që shkruhen për bashkëshortin e saj.”

Ndërkaq, gazetari tha se kjo lloj gjuhe do të jetë edhe më përçarëse për publikun në prag të fushatës elektorale. Kjo pasi do të ketë një betejë të fortë mes partive politike me sulme të shumta në rrjetet sociale, një pjesë e mirë të të cilave janë edhe shumë personale.