Bota

Municion për Ukrainën, BE-ja do të zgjerojë prodhimin!

Ndërsa muajt e fundit, shpesh është raportuar se Ukrainës po i mbaron municioni në luftën me pushtuesit rusë, tani BE-ja ka paraqitur një plan që parashikon zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit të armëve, përtej 12 muajve të ardhshëm. Eurokomisioneri për industrinë e mbrojtjes dhe tregun e brendshëm në Bruksel, Thierry Breton:

Industria europiane e mbrojtjes duhet të mendojë si të kalojë në prodhimin e ekonomisë së luftës. Bëhet fjalë për zgjerimin e prodhimit aktual, modernizimin e tij dhe ngritjen e fabrikave të reja prodhuese.

Sipas planit të ri të BE-së, prodhuesit europianë të armatimit do të marrin deri në 500 milion euro nga buxheti i përbashkët i Unionit.  Disa projekte të tjera duhet të bashkëfinancohen nga vendet anëtare e për to do të jenë në dispozicion 500 milion euro të tjera.

Mendoj se në 12 muajt e ardhshëm do të mund të zgjerojmë kapacitetet e prodhimit në Europë, me mbështetjen përkatëse deri në 1 milion sasi municioni.

Por, Breton nuk përmendi sa i lartë është prodhimi aktual dhe ky është sekret i ruajtur i mirë. Eurokomisioneri shpreson që propozimi të miratohet deri në qershor. E shtrirë për dy vjet, nisma e re do t’u mundësojë vendeve anëtare të Bllokut të marrin para’ nga fondi miliardësh i rindërtimit pas COVID-it.

Një plan me tre shtylla

Te ky njoftim i BE-së bëhet fjalë për shtyllën e tretë të planit të vendeve anëtare në vlerë prej 1 miliardë eurosh. Shtylla e parë parashikon që ato të dërgojnë armë në Ukrainë nga rezervat e tyre. Një pjesë e këtyre dërgesave do të zëvendësohet, procedurë që përdoret tashmë. Estonia u kritikua se me gjasë përdor fondet e përbashkëta të BE-së për të ripërtërirë rezervat e vjetra ushtarake, por Talini i hodhi poshtë kritikat.

Shtylla e dytë parashikon sigurimin e përbashkët të municionit për Ukrainën. Këtu ka vonesa për shkak të përplasjeve politike në prapaskenë. Vendet e BE-së nuk kanë qenë të një mendimi kur bëhej fjalë që porosi voluminoze të jepeshin te prodhues armësh jashtë BE-së. Këtë javë, ambasadorët e Unionit i sheshuan dallimet, sipas presidencës suedeze e hapën rrugën për sigurimin e përbashkët të municionit.

BE-ja nis një rrugë të re

Që nga sulmi rus kundër Ukrainës, BE-së i është dashur të thyejë shumë tabu. Europa u krijua si projekt paqeje pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore. Për pasojë, përdorimi i përbashkët i armatimeve për rajone në luftë ishte i ndaluar. Por, shpërthimi i luftës në Ukrainë, para derës së BE-së, si dhe vendimi për të mbështetur Kievin në luftë kundër Moskës solli ndryshimin: u krijua një mekanizëm i ri financimi për mbështetje masive ushtarake, jashtë buxhetit të Bllokut.

“Duhet të pranojmë që BE-ja ka nisur të përshkojë rrugë të reja”, – thotë Camille Grand nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, European Council on Foreign Relations për DW.

Për herë të parë, BE jep fonde të veta për mbështetjen e industrisë së mbrojtjes, jo për shkencë dhe zhvillim, por për mbështetjen e industrisë së armatimit.

Zgjidhje të shpejta nuk ka. Sipas Grand-it, “mbetet të pritet, nëse do të arrihet efekti i dëshiruar me këto fonde”.

Rritja e prodhimit të armatimit është proces i vështirë. Dihet se prodhimi i municionit është më i lehtë se i tankeve apo avionëve, por prodhimi është kompleks, me zinxhirë të komplikuar furnizimi dhe vështirësi në gjetjen e fuqisë së mjaftueshme punëtore me kualifikime përkatëse.

Kapacitetet e prodhimit në BE nuk kanë qenë kurrë të lidhura me një luftë të madhe. Nocioni “ekonomi lufte” është i ekzagjeruar, por e bën të qartë se duhet të ndryshohen shumë gjëra. Nga ana tjetër, industria e prodhimit është e rezervuar kur bëhet fjalë për rritje masive të kapaciteteve të prodhimit, të cilat shpejt pas përfundimit të luftës do të duhet të reduktohen sërish. Iniciativat e BE-së dhe NATO-s duan t’i japin një sinjal industrisë së armatimit, se investimi ia vlen.

BE-ja po ecën në rrugë të reja, po jo të gjithë janë dakord që fondet e BE-së që u parashikuan për të rimëkëmbur ekonomitë e BE-së pas pandemisë dhe mbështetur vendet më të varfra të BE-së, tani të përdoren për industrinë e armatimit.

Martina Michels, deputete e Parlamentit Europian për Partinë “E Majta” kritikon këtë aspekt të planit të BE-së.

Fondet strukturore të BE-së janë instrumentat tanë për investime afatgjata strategjike. Ato duhet të përafrojnë standartet jetësore të vendeve anëtare në të njëjtën kohë me ndryshimin strukturor të përshtatshëm me klimën. Në asnjë mënyrë, ato nuk duhet të përdoren për armatim. Ekonomia e luftës nuk është as me qëndrueshmëri sociale, as ekologjike dhe as ekonomike.

Thierry Breton kujton se vendet anëtare do të vendosin vetë si t’i përdorin investimet, si për shembull për të zgjeruar një fabrikë municionesh që vitet e kaluara kishte reduktuar prodhimin.

Te financimi duhet të veprohet shpejt, që industria të rrisë prodhimin!/DW