A Live Night Celebrities Gossip Music Showbiz

Muzika dikur dhe tani… Capital T flet ‘pa doreza’: “Asokohe nuk bliheshin klikime si sot!”

‘A Live Night’ është prodhimi më i ri në Top Channel që padyshim është një risi e ekraneve tona. Deri më tani keni pasur mundësinë të shihni në intervista shumë më ndryshe nga sa jeni mësuar disa nga artistët e ‘A Live Night’ dhe t’i dëgjoni duke performuar ‘live’ teksa na falin një emocion shumë të vecantë duke performuar hitet e tyre ndër vite.

E teksa keni dëgjuar rrëfimet e Arilena Arës, Ylli Limanit dhe Ronela Hajatit, sonte Capital T është i ftuar për të thënë gjithçka nuk dinim nga artisti, duke nisur nga fëmijëria, vështirësitë që ka kaluar për të qenë këtu ku është sot si një personazh i konfirmuar, mendimin e tij mbi tregun muzikor në ditët e sotme, jetën personale të tjera.

Capital T tregoi se si lindi pasioni i tij për muzikën duke na zbuluar në fakt se ka qenë ‘dashuria’ e tij që në fëmijëri dhe ndihmë për reperin ka qenë gjithashtu daja e tij, një artist i njohur i zhanrit hip-hop gjithashtu, 2po2.

Muzika më ka tërhequr gjithmonë, ndoshta nuk e kam pasur qëllim krysesor, normalisht kam pëlqyer edhe gjëra të tjera. Më kanë pëlqyer artet marciale, në një moment futbolli për shkak të babit, po muzika ishte ajo që mbas çdo procesi, çdo lëndimi ka qenë shpëtimi. Muzika më ka përqafuar. Që fëmijë kam nisur të merrem me muzikë. Inspirim ka qenë Tupac, Biggie, Eminem, Fifty Cent, ka pasur shumë po kryesisht këta kanë qenë. Po flas për ata jashtë se për në Shqipëri dihet që ka qenë daja im 2po2. Dëshira ka qenë e imja se e kam bërë dhe para se t’ja tregoja atij. Kam filluar duke regjistruar ‘demo’ fillimisht me kushte minimale, pastaj me shokë nëpër studio, pastaj ia tregova punët e mia dhe ka qenë një bisedë shumë korrekte me të. Më tha që nëqoftëse nuk ke potencial nuk dua të të shtyj në një diçka që nuk mundet të funksionojë. Unë atëhere kam qenë 13-14 vjeç dhe ai u surprizua. I kam shkruajtur pjesët e mia dhe i pëlqyen shumë. Pastaj debutova me këngën time të parë me videoklip në 2007 ‘Shopping’ dhe pastaj ‘the rest is history’.

Edhe pse nuk njihet si personazh që bëhet pjesë e skandaleve apo ka probleme me kolegët e tij, Kapo rrëfeu pa ‘pa doreza’ lidhur me ndryshimin e tregut muzikor dikur dhe në ditët e sotme. Padyshim që reperi mundet ta bëjë një diferencë pasi ka shumë vite që është një element i rëndësishëm i muzikës shqiptare prej shumë vitesh tanimë.

Industria në atë kohë ka qenë shumë ndryshe. Në atë kohë nuk më interesonte për famë, e bëja për dëshirën time. Shkoja në studio dhe punoja, nuk ka qenë e rëndësishme fama në atë kohë. Po flasim për vitet 2006-2007, në ato kohë nuk ka pasur rrjete sociale, është kohë shumë e vjetër, kanë qenë televizionet, ka qenë shumë më transparente. Duhet të kishe shumë potencial, jo të blije klikime ose shumë tema që fliten sot që është shumë më e lehtë të marrësh vëmendje. Unë them gjithmonë 80% është puna, talenti është çështje shijesh. Nëse nuk e bën punën, sidomos tani që industria është kaq shumë aktive, ka shumë konkurrencë. Faktori kryesor është puna.