Celebrities Music Showbiz

Muzikanti i njohur shprehet se ditëve të tij si baterist i erdhi fundi…

Muzikanti i njohur britanik, Phil Collins, ka rrëfyer së fundmi se si përkeqësimi i shëndetit ka ndikuar në aftësitë e tij për të performuar nëpër koncerte. Collins është shprehur për BBC, duke diskutuar mbi turneun e rikthimit të grupit të tij “Genesis”, se:

Jam paksa i sfiduar fizikisht, gjë që është shumë frustruese, sepse do të më pëlqente që të luaja në skenë.

Kur është pyetur se a është në gjendje akoma të luajë në bateri, 70-vjeçari ka deklaruar se:

Mezi arrij ta mbaj një shkop të baterive me këtë dorë, prandaj janë disa gjëra fizike që më pengojnë.

Muzikanti deklaroi se kishte besuar se ribashkimi i përmendur do të ishte i fundit për të në koncerte.

Të gjithë jemi burra të të njëjtës moshë dhe mendoj se në një moment të caktuar duhet t’i japim fund. Mendoj, po, mendoj përgjithësisht për veten, nuk di nëse dua të shkoj më në turne.

Collins, i cili njihet për stilin e veçantë të luajtjes në bateri dhe konsiderohet si një ndër muzikantët me më së shumti ndikim në gjeneratën e tij, ka pësuar një seri lëndimesh fizike përgjatë karrierës artistike. Para disa vitesh, ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në shpinë, ndërsa ka problem nervor në krahun e majtë, si dhe ka pësuar fraktura të shumta në këmbë. Ndërsa në vitin 2017 kishte lënduar kokën pas rrëzimit në Royal Albert Hall në Londër.